Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza ishte në Hannover dhe Köln të Gjermanisë, nga ku iu tha mërgimtarëve që u mblodhën për ta pritur atë se “Kosova është shtëpia jonë e përbashkët”.
Në kuadër të turneut të nëntorit në diasporë, Hamza u prit dje sot edhe në Hannover e Köln ku mijëra bashkatdhetarë ai i falënderoi për pritjen dhe mbështetjen për të dhe vizionin e tij në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.
Në të dy tubimet, Hamza tha se Kosova ka nevojë për bashkatdhetarët, jo vetëm si mbështetës financiarë, por si partnerë aktivë në transformimin ekonomik të vendit.
“E çmoj shumë kontributin e diasporës në zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve tanë”, tha Hamza, duke i ftuar ata që të investojnë në Kosovë.
“Gjithandej po takoj njerëz të suksesshëm në mërgatë. Ju lus, ju garantoj dhe ju siguroj se do të krijoj kushte që ju të vini të hapni biznese dhe të investoni në Kosovë. Përtej kapitalit, kemi nevojë për dijen dhe menaxhimin tuaj modern”, tha ai.
Hamza i ftoi mërgimtarët që të regjistrohen deri më 26 dhjetor, në mënyrë që të kenë të drejtën e votimit në zgjedhjet parlamentare
“Mos e pritni 26 dhjetorin që të regjistroheni. Regjistrohuni edhe më herët që të siguroni të drejtën tuaj për votim. Me këtë entuziazëm, masivitet dhe mbështetje që po na jepni, ne do të fitojmë”, tha Hamza.
Hamza pritet të zhvillojë tubime të tjera në diasporë.
Më 30 nëntor, kandidati i PDK-së për kryeministër do të shkojë në Vjenë