Sot presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka bërë adresimin e saj vjetor para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, shkruan TV Arbëria.
Gjatë fjalimit të saj, Osmani foli për rrugëtimin e saj si presidente, për rrugën drejt shtet ndërtimit të Kosovës, për sakrificat, për Forcat e Sigurisë së Kosovës, e kështu me rradhë.
Por ajo që ra në sy më së shumti, gjatë gjithë fjalimit të saj, ishin disa kunja të “vogla” drejtuar Qeverisë Kurti, e veçanërisht kryeministrit Kurti si udhëheqës.
“Në këtë rrugëtim, ajo që dëshmon më së miri zhvillimin dhe pjekurinë e shtetit tonë është momenti kur ne sigurohemi që politikat tona të pasqyrojnë atë që është e drejtë, jo atë që është politikisht e përshtatshme, atë që është e duhur, e jo atë që tingëllon bukur, atë që është në interes shtetëror afatgjatë e jo në interes të votave të një palë zgjedhjesh, atë që e ngritë shtetin tonë lart e jo që i ngritë vetëm numrat në sondazhe. Vizioni largpamës është ajo që gjithnjë i ka dalluar liderët e vërtetë, jo vetëm në Kosovë, por çdo kund në botë”.
Kjo është vetëm një pjesë nga fjalimi i Osmanit që në mënyrë indirekte mund të themi se i drejtohet Kurtit.
Tutje Presidentja ia përmend edhe çështjen e masave ndaj Kosovës, duke e thënë se “nuk ka sukses në izolim”
“Asnjë popull nuk ia ka dalë vetëm e asnjë shtet nuk ka sukses në izolim. Andaj, rëndësia e ruajtjes dhe forcimit të aleancave është e paçmueshme. Historia politike na mëson se, dobësimi i aleancave ose partneriteteve është një gabim strategjik. Të punosh bashkë me ata që na ndihmuan ta kemi lirinë e shtetit asnjëherë nuk është nënshtrim, e as shantazhim. Unë besoj fuqishëm se forca jonë më e madhe qëndron pikërisht në partneritetet tona. Aleancat mes shteteve janë më të mëdha e më të rëndësishme sesa cilido prej nesh si politikan apo cilat do palë zgjedhje”, tha Osmani.
Duke mos mjaftuar, Osmani e përmendi edhe fjalën “bixhoz” në fjalimin e saj.
“Ato janë gurthemel i sukseseve tona dhe investim në një të ardhme ku Kosova do të jetë anëtare e barabartë në komunitetin euroatlantik të kombeve të lira. Aleancat janë për të na mbrojtur, prandaj vënia në rrezik, luajtja bixhoz me to apo cenimi i tyre, e cenon vetë mbrojtjen e Republikës sonë. Shihni deklarimet e superfuqive botërore: do të shihni qindra fjalime se si çdo sfidë angazhohen ta kapërcejnë bashkë me aleatët sepse nuk munden t’ia dalin të vetëm. Prandaj asnjëherë nuk e kam kuptuar e as mirëkuptuar, as talljet që bëhen në llogari të aleatëve, as sulmet ndaj tyre, e as keqpërdorimin e emrit të tyre për të fituar pushtet. As njëra e as tjetra nuk i bën nder Kosovës. Përkundrazi, duhet shumë punë e shumë angazhim për mirëmbajtjen e aleancave e partneriteteve bazuar në parime e vlera. Vetëm kjo rrugë mund t’i çojë interesat e Kosovës përpara”, tha Osmani.
Këto janë disa nga pjesët më “thumbuese” të fjalimit të presidentes Osmani.
Krejt në fund kur presidentja përfundoi fjalimin, Kurti nuk zgjodhi ta duartrokas fare.
Momenti kur Presidentja Osmani e përfundon fjalimin
Ndërkohë kujtojmë që Kurti së bashku me Vjosa Osmanin, në zgjedhjet e fundit të 14 shkurtit, kanë garuar së bashku, por gjatë këtyre katër viteve, me kalimin e kohës është parë që raportet mes dy figurave janë ftohur. /TV Arbëria/
KËTU MUND TA SHIHNI TË PLOTË FJALIMIN E PRESIDENTES VJOSA OSMANI