Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Luftiu: Ministria serbe kërcënon me anulim të subvencioneve për shqiptarët e Luginës

Luftiu: Ministria serbe kërcënon me anulim të subvencioneve për shqiptarët e Luginës

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Nevzad Lutfiu, ka kritikuar një veprim të Alternativës për Ndryshim (APN). Ai thotë se kjo parti rrezikon mbështetjen e qindra bujqve shqiptarë të Luginës. Kjo pasi sipas tij Ministrisë për të Drejtat e Njeriut dhe Minoriteteve në Beograd ka paralajmëruar anulim të subvencioneve për bujqit shqiptarë atje.

Para disa ditësh sipas tij, saktësisht me 11 nëntor po kjo parti i ka dërguar shkresë Ministrisë për të Drejtat e Njeriut dhe Minoriteteve në Beograd përmes së cilës i ka njoftuar se Këshilli Kombëtar Shqiptar ka hapur konkurs për subvencionimin e kulturave bujqësore (nga Fondi i Republikës së Kosovës për shqiptarët e Luginës).

Ai thekson hipokrizinë që, sipas tij, vet disa anëtarë të APN-së vetë kanë aplikuar për subvencione, ndërkohë që janë duke rrezikuar mbështetjen për të tjerët.

Lutfiu ka njoftuar edhe Qeverinë e Kosovës për zhvillimet, duke paralajmëruar se nëse procesi bllokohet nga Ministria serbe, do të kërkohen masa reciprociteti.

“Në vitin 2024, Qeveria serbe ka ndarë rreth 139 milionë euro për serbët në Kosovë, ndërsa sinjalet (veprimet) janë që 1 milion euro, i dedikuar për bujqit shqiptarë të Luginës të bllokohen. Do të luftojmë deri në fund”, ka shkruar ai.

Ky është njoftimi i plotë i tij:

Njoftim për gjithë shqiptarët e Luginës në përgjithësi, e për bujqit (aplikuesit) në veçanti.

Më datë 11 nëntor 2024 subjekti politik Alternativa për Ndryshim (APN) i ka dërguar shkresë Ministrisë për të Drejtat e Njeriut dhe Minoriteteve në Beograd përmes së cilës i ka njoftuar se Këshilli Kombëtar Shqiptar ka hapur konkurs për subvencionimin e kulturave bujqësore (nga Fondi i Republikës së Kosovës për shqiptarët e Luginës).

Pas kësaj shkrese, dje na është drejtuar me një shkresë Ministria për të Drejtat e Njeriut dhe Minoriteteve ku kërkon nga KKSH që në afat prej 8 ditësh t’i përgjigjemi se në cilën dispozitë ligjore jemi thirrur lidhur me hapjen e konkursit për subvencionimin e kulturave bujqësore, dhe në të njëjtën kërkesë Ministria kërcënon se në rast se KKSH nuk e anulon vendimin atëherë vetë Ministria do ta bëj.
Unë nuk anuloj asnjë vendim sepse me vetëdije të plotë kam ndërmarr çdo veprim me qëllim që t’i mbështesim familjet shqiptare të vendit tonë të cilat mbijetojnë prej këtij sektori.

Ky veprim i APN rrezikon që qindra bujq shqiptarë të mbesin pa mbështetje.
Hipokrizia e madhe qëndron në faktin se disa nga akterët e APN vetë kanë aplikuar për të përfituar nga ky konkurs.

Në afatin e përcaktuar do t’i përgjigjemi Ministrisës.

Për këto zhvillime e kam njoftuar Qeverinë e Republikës së Kosovës, në rast se ky proces bllokohet nga Ministria, do të kërkojmë masa reciprociteti.

Sipas euronews.al, në vitin 2024, Qeveria serbe ka ndarë rreth 139 milionë euro për serbët në Kosovë, ndërsa sinjalet (veprimet) janë që 1 milion euro, i dedikuar për bujqit shqiptarë të Luginës të bllokohen.

Do të luftojmë deri në fund!

Powered by WordPress