Sekretari i Përgjithshëm i LDK-së dhe Kryetar i Komunës së Lipjanit, z. Imri Ahmeti, ka shpallur zyrtarisht kandidaturën e tij për deputet në zgjedhjet e ardhshme të 9 shkurtit, gjatë një takimi me strukturat e Degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Lipjan.
Në një takim të mbushur me entuziazëm dhe përkrahje të jashtëzakonshme, Ahmeti deklaroi se ky hap nuk është thjesht një vendim personal, por një angazhim për të fuqizuar përfaqësimin e qytetarëve të Lipjanit dhe të Kosovës në nivel nacional.
“Kjo kandidaturë nuk do të thotë largim nga Lipjani, por për të mobilizuar dhe ndihmuar procesin politik në nivel nacional, duke fuqizuar përfaqësimin tonë të përbashkët,” theksoi Ahmeti.
Përkrahja nga strukturat e LDK-së në Lipjan ishte e fuqishme dhe unanime. Kandidatura e Ahmetit u cilësua si një garanci për forcimin e pozitës së LDK-së në skenën politike dhe rikthimin e partisë si forca udhëheqëse e vendit.
Ky vendim i rëndësishëm vjen në një kohë kur LDK-ja po përgatitet për zgjedhjet e 9 shkurtit, me një fokus të qartë në mobilizimin e strukturave dhe energjisë politike. Ahmeti, me përvojën dhe vizionin e tij, shihet si një nga figurat kyçe që do të ndikojë në fuqizimin e partisë.