Shkruan: Afrim Kasolli
Ndonëse ende nuk ka filluar zyrtarisht fushata, megjithatë partitë politike në Kosovë ndodhen në kulmin e aktivitetit të tyre elektoral. Kjo betejë po zhvillohet në “dy fronte”, si brenda vendit ashtu edhe në diasporë. Tashmë janë bërë të ditura sloganet elektorale si dhe disa premtime se si do ta qeverisnin Kosovën nëse marrin bekimin e qytetarëve.
Përgjithësisht, dy nga partitë kryesore opozitare, Partia Demokratike e Kosovës si dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, kanë vendosur ta rivalizojnë pushtetin kryesisht me program ekonomik. Premtime për rritje të pagave, investimeve kapitale, ndryshim të politikave tatimore etj, janë vetëm disa nga propozimet e tyre. Ndërkohë, në masë të madhe kanë qenë të heshtura dhe nuk kanë ofruar përgjigje të qarta për disa nga sfidat ndërkombëtare që i ka Kosova sa i përket zbatimit të Marrëveshjeve me Serbinë, me theks të veçantë detyrimit për ta themeluar Asociacionin e Komunave me shumicë serbe. Në fund të fundit edhe Raporti i Progresit për këtë vit i hartuar nga Komisioni Evropian, e ka bërë të qartë se hapi fillestar në drejtim të zbatimit të Marrëveshjes bazë si dhe Aneksit të Ohrit, të dakorduar ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandër Vuciq, me ndërmjetësimin e BE-së, i takon Kosovës. Për më shumë edhe përmbajta e draft-statuti të propozuar nga Brukseli nuk ka shumë hapësirë për negocim. Sidoqoftë, mund të jetë e kuptueshme strategjia për ta shmangur temën e patates së nxehtë në këtë atmosferë. Sa do te jetë e suksesshme kjo taktikë mbetet të shihet.
Në anën tjetër, partia në pushtet krahas përpjekjes për të dëshmuar arritjet e saj ekonomike me anë të paraqitjeve statistikore, po zotohet se nuk do ta përfill këtë obligim. Kryeministri Kurti në disa paraqitje e ka ndërruar qasjen e tij në raport me këtë temë. Nëse deri para pak kohe betohej ndërkombëtarisht se do ta zbatonte, si dhe kërkonte nënshkrim edhe nga pala serbe si parakusht për implementim, së fundi ka filluar ta zhvesh vetën nga kjo përgjegjësi, duke thënë se ky entitet është obligim i komunave dhe vullnetit të tyre, nëse dëshirojnë të asociohen ndërmjet vete. Prandaj, ai tashmë po kërkon mbështetje edhe me tw madhe elektorale për ta penguar këtë projekt, përkundër faktit se vetë e ka pranuar. Si suksese gjatë këtij mandati pushteti është duke i listuar edhe disa nga aksionet në pjesën veriore, sikur se narracioni mbi “çlirimin e veriut” nga bandat e Milan Radoiçiqit, etj.
Pra beteja ndërmjet mbrojtjes sovranitetit shtetëror nga pushteti dhe premtimit për zhvillim ekonomik nga opozita është kristalizuar si vija ndarëse antagoniste politike për këto zgjedhje.
Mirëpo, zbulimi i aferave dhe skandaleve të fundit të përftimit të familjarëve të anëtarëve të partisë në pushtet, si dhe dyshimet e mëhershme akte korruptive sidomos në KEK, bisedat telefonike të Shefes së Grupit Parlamentar Mimoza Kusari-Lila, pikërisht me Milan Radoiçiqi, si dhe partizimi i ndërmarrjeve publike, e kanë goditur Lëvizjen Vetëvendosje në kauzën e saj kryesore politike dhe morale. Për njw kohë të gjatë kjo parti ia kishte dalur t’i kualifikonte oponentët e saj politik si shembulli i zhvatjes së parasë publike për interesa personale. E të mos flasim këtu edhe për tenderët një burimor. Prandaj, por t’u mbrojtur nga ky c’moralizim, Albin Kurti i është rikthyer gjuhës së dikurshme opozitare se “pasurinë e vjedhur nga politikanët, do t’ia kthejmë popullit”, e deri tek denoncimi i aferave të zbuluara si të orkestruara nga qarqe të errëta konspirative me anë të luftës hibride kundër shtetit të Kosovës dhe kësaj Qeverie.
Nuk ka dyshim se këto akte e kane zhveshur Lëvizjen Vetënvedosje nga imazhi i dikurshëm profetik. Po ashtu, percepcioni publik për partitë e “ish-regjimit të vjetër” si të zhytura në moçalin e korrupsionit ka qenë një barrë e madhe për to. Kjo nuk do të thotë se këto të fundit tashmë opinioni ka filluar t’i shoh si të “spastruara nga mëkatet e së kaluarës”. Por është shtruar rruga që as Vetëvendosja të mos vlerësohet e ndryshme nga sjelljet e tyre. Dhe tashmë të gjithë partitë politike në vend të shihen se grupe të ngushta të interesit, që me të marr pushtetin e përdorin atë për përfitime klienteliste dhe familjare. Një lloj kombinimi ky i “mendësisë feudale” me “kapitalizmin shtetëror” .
Kjo kthesë aktualisht ka shënuar një “fitore morale” të opozitës për zgjedhjet e 9 shkurtit. Sepse qytetarët e Kosovës nuk do të gjenden ndërmjet alternativës së “shpëtimit dhe rrënimit përfundimtar”, por para një relativizimi moral, ku të gjithë janë bashkëfajtorë. Dhe se mobilizimi politik në masë të madhe në bazë të këtyre kushteve do të kushtëzohet nga fryma e klientelizmit. Kjo mund sjell edhe një pjesëmarrje me ulët të qytetarëve në ditën e votimeve për shkak të zhgënjimit, çfarë do të ishte një përparësi për opozitën.
Pra këto zgjedhje mw shumë sa nga thirrja për t’u bërë “pjesë e ndryshimit”, apo Kosova mundet “më mire”, e deri tek glorifikimi i tyre si akt i “vetëvendosjes nacionale”, do të mund të fitohen nga ato parti që kanë klientelë me ta organizuar dhe disiplinuar. /TV Arbëria/