Ambasadori amerikan në Serbi Christopher Hill, tha se duhet bërë ende shumë për të normalizuar marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.
Hill në Konferencën e Sigurisë në Beograd, theksoi se është e rëndësishme të mbështetet dialogu i udhëhequr nga BE.
“Është shumë e rëndësishme që ato procese të fillojnë dhe të krijohen kushte për normalizimin e marrëdhënieve. Por padyshim që ka shumë punë për të bërë. Kjo është diçka që është pjesë e kësaj administrate aktuale, por edhe e radhës, sepse problemi nuk mund të zgjidhet menjëherë. Duhet bërë shumë punë për të arritur statusin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës”, theksoi Hill.
Ai shtoi se i dërguari i BE-së për dialog, Miroslav Lajçak, ka bërë shumë propozime pozitive për tema të shumta, duke përfshirë edhe formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Hill referuar Asociacionit me shumicë serbe tha se për ato që është rëndë dakord, duhet të zbatohen.
“Këto janë gjëra që ai i ka nisur që në fillim dhe duhet të zbatohen. Më vonë, nëse të gjithë bëjnë atë që sugjeroi Lajçak, do të jemi në një vend më të mirë. Sigurisht që kemi humbur kohë për shumë arsye, por duhet t’i rikthehemi punës”, tha ambasadori amerikan.
I pyetur për deklarata të caktuara se Serbia nuk ka zbatuar marrëveshjet, por se ka presion ndaj Kosovës për ta bërë këtë, Hill thekson se nuk është i sigurt se do të pajtohej me atë pikëpamje.
“Gjithçka është shumë më komplekse dhe ne duhet të vazhdojmë normalizimin dhe të miratojmë propozimet e bëra nga Lajçak. Nuk mund të pajtohem me deklaratën tuaj. Mendoj se nuk po e shihni situatën në dritën më të mirë dhe duhet të kuptoni se është një proces kompleks që përfshin të dyja palët”, tha Hill.
I pyetur nëse dialogu do të zhbllokohej nëse Kosova dërgonte në Gjykatën Kushtetuese draftin evropian të Asociacionit, Hill tha:“Më duhet të them se është punë e zotit Lajçak dhe duhet ta pyesni për mendimin e tij.
“Pikëpamja jonë është se duhet të mbështesim Lajçakun, propozimet e tij dhe të përpiqemi t’i miratojmë sipas marrëveshjes së përbashkët”, theksoi ai.
I pyetur se si do të ndikojë zgjedhja e presidentit të ri të SHBA-së në Ballkanin Perëndimor dhe veçanërisht në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Hill thekson se aktualisht në Uashington është një periudhë tranzicioni.
“Duhet të bëhet shumë punë kur bëhet fjalë për emërimin e zyrtarëve në pozita të larta. Pasi kjo të përfundojë, do të ketë emërime në poste të tjera, shumë prej të cilave duhet të konfirmohen nga Senati. Duhet të shohim se si do të zhvillohet gjithçka dhe kësaj pyetjeje nuk mund t’i përgjigjemi për momentin”, përfundoi Hill.