Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Kosova, vendi i vetëm në Evropë pa gazetë ditore të shtypur

Kosova, vendi i vetëm në Evropë pa gazetë ditore të shtypur

Gazetari Fatmir Bujupi ka ngritur një shqetësim të madh lidhur me mungesën e gazetave të shtypura ditore në Kosovë.

Ai në “Mirëmëngjesi Kosovë”, ka theksuar se Kosovë është i vetmi vend në Evropë pa një botim të tillë.

“Gazeta e shtypur i mungon shumë Kosovës sepse jemi i vetmi vend që nuk kemi as edhe një gazetë të shtypur ditore” , ka thënë Bujupi, duke kujtuar kohët kur shtypi i përditshëm luante një rol të rëndësishëm në jetën publike të qytetarëve.

Bujupi ndau përpjekjet e tij për të rikthyer një gazetë të tillë, duke kërkuar investitorë të mundshëm jashtë vendit. “Sa herë që udhëtoj në Evropë, po interesohem për këto gjëra. Kam gjetur të interesuar, veçanërisht në Vjenë dhe Pragë, por kur puna ishte gati, dalshin shumë probleme dhe dështonin”, ka theksuar ai.

Kosova ka vite që nuk ka gazetë të përditshme të botuar në letër. Sipas Bujupit, pretendimi se gazetat nuk lexohen më nuk qëndron. “Nuk pranoj këtë argument. Duhet të angazhohemi fuqishëm që të kemi të paktën një gazetë të shtypur ditore” ka thënë ai.

Ai bëri thirrje për të rikthyer shtypin tradicional në Kosovë, duke rikthyer një traditë që, sipas tij, është thelbësore për informimin dhe kulturën e vendit.

Powered by WordPress