Kryeqyteti i Kosovës, Prishtina, sot pritet të jetë nikoqire e një takimi të përbashkët mes Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe asaj të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Takimi mes dy qeverive të Ballkanit Perëndimor, do të filloj në orën 10:40.
Njoftimin për këtë takim e ka dhënë edhe vetë Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Ky takim është i pari kur Qeveria e Maqedonisë së Veriut udhëhiqet nga subjekti politik VMRO-DPMNE, në një koalicion me disa subjekte politike shqiptare atje, të dalë nga zgjedhjet që u mbajtën këtë vit.
Herën e fundit, mbledhja në mes të dy qeverive ishte mbajtur më 16 shtator 2021, ku në Maqedoni të Veriut kryeministër ishte Zoran Zaev.
Ish-ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Gjergj Dedaj, takimin mes dy qeverive e sheh si takim të zakonshëm, por që sipas tij kryeministri Albin Kurti, me këtë takim po tenton ta minimizoj debaklin qeverisës.
‘’Takimet ndërqeveritare mes Qeverisë së Republikës së Kosovës në ikje dhe asaj të Republikës së Maqedonisë së Veriut, janë takime të rregullta dhe asgjë të jashtëzakonshme. Qeveria në ikje Kurti duke parë se ka dështuar dhe ka pësuar debakël në të gjitha fushat, tani pas shpalljes së datës së zgjedhjeve, me 9 shkurt 2025, po tenton ta minimizoj debaklin qeverisës, qoftë me takimet e dëshpëruara me mërgatën apo edhe me Qeverinë e RMV’’, thotë Dedaj.
Dedaj këtë takim madje e quan edhe si kthim të borxhi, pasi që, sipas tij, kryeministri Kurti ishte përzier në zgjedhjet qendrore në RMV.
‘’ Ky është një takim më shumë elektoral dhe kthim i borxhit ndaj Kurtit, i cili në mënyrë flagrante ishte përzier në zgjedhjet e fundit të këtij vendi fqinj, duke e dëmtuar procesin zgjedhor në RMV’’ shprehet ai.
Ish-ambasadori Dedaj, ka folur edhe për atë se çka duhet diskutohet në takimin e së hënës ndërmjet dy qeverive në Prishtinë.
‘’ Në këtë takim ndërqeveritar do duhej të bisedohej për thellimin e marrëdhënieve ndërshtetërore mes dy vendeve tona, të flitet për mos ndryshimin e kursit të RMV ndaj shtetit të Kosovës dhe politikave të Serbisë ndaj RKS dhe RMV, pastaj për respektimin në plotëni të Marrëveshjes së Ohrit të vitit 2001, për të drejtat kushtetuese të shqiptarëve në RMV, duke përfshirë gjuhen shqipe si gjuhe zyrtare dhe barazinë ndëretnike në RMV. Personalisht nuk pres asgje konkrete nga ky takim’’, potencoi Deda. /Frontonline