Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > PK gjen mangësi në trajtimin e dhunës në familje nga Policia

PK gjen mangësi në trajtimin e dhunës në familje nga Policia

Në raportin për dhunën në familje të Inspektoratit Policor të Kosovës, gjetjet tregojnë se ka mangësi në trajtimin e kësaj dukurie nga Policia. Andaj rekomandimet e autoritetit mbikëqyrës të institucionit të sigurisë kërkohet të merren seriozisht.

Trajtimi i rasteve të dhunës në familje vazhdon të mbetet një nga sfidat kryesore të Policisë së Kosovës.

Në një raport të Inspektoratit Policor të Kosovës thuhet se janë hasur mangësi në burimet njerëzore por edhe mosfunksionalizimin e Ekipit të hetimit të dhunës në familje në disa stacione policore.

“Është evidentuar mungesë në disa dosje të raporteve njoftuese për Prokurorinë mbi dyshimet e arsyeshme të kryerjes së veprave penale, mosaplikimin e vlerësimit të rrezikut për viktimat në një numër rastesh sipas formës së përcaktuar, cilësinë e disa prej kallëzimeve penale, mungesën e raportit ditor për rastin e dhunës në familje si dhe mosrespektimin e zinxhirit komandues”, thuhet nga IPK-ja.

E ish-shefi i hetimeve në IPK, tashmë avokat, Jetullah Aliu tregon se duhet marrë seriozisht nga ana e Policisë këto gjetje të raportit.

“Gjatë përvojës që kam pasur në Inspektoratin Policor të Kosovës kemi trajtuar edhe raste të dhunës në familje dhe raste të tilla ne i kemi hasë prandaj edhe Inspektorati Policor i Kosovës ka dalë me rekomandime dhe të gjetura të tij të cilat të gjetura duhet të shërbejnë në Policinë e Kosovës me qëllim që ata të përmirësohen”, tha Aliu.

Se po përballen me mungesë të trajtimit adekuat të kësaj dukurie, e thotë edhe avokati Asdren Bytyqi.

“Institucioni i zyrës së mbrojtjes së viktimave duhet që të jetë më i fuqizuar me juristë, sociologë, psikologë, të cilët nuk do ta shihnin vetëm zgjidhjen gjyqësore ose penale si rrugë të vetme të zgjidhjes mes çifteve ose mes familjarëve po do duhej të shihen mundësia e ndërmjetësimit që të gjej një rrugë e mesme që mos të mbushen burgjet vetëm me individë që kryejnë këto vepra se mendoj që kjo është ndoshta një trend ndoshta edhe pak i tepruar”, tha Bytyqi.

Sipas të gjeturave të raportit, koha mesatare e reagimit në zonë urbane llogaritet të jetë maksimum 15 minuta, ndërsa në zonë rurale 30 minuta.

Stacionet në Mitrovicë të Veriut, Zveçan dhe Viti kanë arritur kohën më të shpejtë në reagim në thirrje, derisa stacionet me kohën më të ngadaltë (shtyrë) të reagimit janë Novo Bërda dhe Dragashi.

Powered by WordPress