Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Paraburgoset M.D që u arrestua dje për protestat në veri, avokati: Prokuroria s’ka prova, fotot janë fabrikuar

Paraburgoset M.D që u arrestua dje për protestat në veri, avokati: Prokuroria s’ka prova, fotot janë fabrikuar

Prokuroria Speciale dje informoi se pas zhvillimit të hetimeve disamujore në bashkëpunim me Policinë e Kosovës në regjionin e Mitrovicës ka arrestuar një person M.D, i cili akuzohet për katër vepra penale në protestën para komunës së Zveçanit në maj të vitit të kaluar.

Avokati mbrojtës i tij, Nebojsha Dançetoviq, sot ka konfirmuar për mediumin në gjuhën serbe “KoSSev” se atij i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.

Ky medium raporton se M.D sot ka dalë para gjyqtarit për të vendosur mbi kërkesën e prokurorisë për masën e paraburgimit.

Prokuroria atë e ngarkon me katër vepra penale: “Bashkimi për veprimtari kundër kushtetuese”, “Rrezikimi i personave nën mbrojtje ndërkombëtare”, “Pjesëmarrja në turmë që kryen veprën penale dhe huliganizmi” dhe “Sulmi ndaj personit zyrtar”.

Avokati Dançetoviq ka thënë se provat e prokurorisë janë të pabaza.

“Prokuroria nuk ka prova. Këto janë disa foto të fabrikuara – se është parë me xhup të verdhë në një protestë, se mban diçka në dorë – nuk dihet nëse është shishe me ujë. Provat e prokurorisë janë të pamjaftueshme”, tha ai.

Ai konfirmoi se klienti i tij ishte në protestë atë ditë, por tha se e bëri këtë për shkak të “një mosmarrëveshjeje politike”.

“Nuk mund të cilësohet si sulm ndaj rendit kushtetues. Është e vërtetë që ka qenë në protestë, por nuk është e vërtetë se ka plagosur ndonjë ushtar dhe as ka marrë pjesë në sulmin ndaj zyrtarëve ndërkombëtarë”, ka thënë ai.

Dançetoviq ka theksuar se vendimin për paraburgimin në gjuhën serbe gjykata do ta dorëzojë vetëm të hënën dhe paralajmëron se do të parashtrohen ankesat./Express/