Donald Trump ka konfirmuar se Doug Burgum do të jetë ministër i Brendshëm i SHBA-së.
Ai aktualisht është duke ushtruar mandatin e dytë si guvernator i Dakotës së Veriut.
Trump e ka emëruar gjithashtu atë si kryetar të “Këshilli Kombëtar të Energjisë”.
Këshilli do të “përbëhet nga të gjitha Departamentet dhe Agjencitë e përfshira në lejimin, prodhimin, gjenerimin, shpërndarjen, rregullimin, transportin e të gjitha formave të energjisë amerikane”, shkroi 78-vjeçari.
“Ky Këshill do të mbikëqyrë rrugën drejt dominimit të energjisë amerikane duke shkurtuar burokracinë dhe rritur investimet e sektorit privat në të gjithë sektorët e ekonomisë ndërsa fokusi do të jetë në inovacionin mbi rregulloren e kahershme, por krejtësisht të panevojshme”, tha Trump në Truth Social.
Burgum kandidoi për president në vitin 2024, por përfundimisht u largua dhe mbështeti presidentin e zgjedhur, duke u bërë këshilltar i fushatës së tij, veçanërisht për çështjet e energjisë.