Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Vendimet për të cilat Kurti e ndërpreu transmetimin e mbledhjes së Qeverisë për “diskutim konfidencial” – ZKM zbulon me çka lidhen

Vendimet për të cilat Kurti e ndërpreu transmetimin e mbledhjes së Qeverisë për “diskutim konfidencial” – ZKM zbulon me çka lidhen

Zyra e Kryeministrit ka zbuluar se propozimet për të cilat u ndërpre transmetimi i mbledhjes së Qeverisë para dy ditësh, lidhen me rezervat shtetërore. Por, çka thuhet në dy vendimet që u morën? Reporteri.net ju sjell detajet.

Transmetimi i mbledhjes së fundit të Qeverisë së Kosovës, që u mbajtë dy ditë më parë, u ndërpre ende pa u shqyrtuar të gjitha propozim-vendimet. Kjo u bë me kërkesë të Kryeministrit Albin Kurti, meqë siç tha dy propozimet e fundit kërkonin “diskutim konfidencial”.

Propozimet ishin nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, që udhëhiqet nga Ministrja Rozeta Hajdari.

“Të nderuar kolegë, gjatë kësaj mbledhjeje do të shqyrtojmë edhe dy propozime të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, përmbajtja e të cilave kërkon diskutim konfidencial, ashtu të paraparë sipas legjislacionit në fuqi, vendimet e aprovuara do të publikohen, kurse detajet e parapara me ligj si sekret, do të ruhen si të tilla sipas ligjeve relevante. Andaj, ju faleminderit për vëmendjen. Transmetimi këtu do të ndërpritet dhe ne vazhdojmë edhe pak më gjatë”, deklaroi Kurti.

Zyra e Kryeministrit ka zbuluar se vendimet për të cilat u ndërpre mbledhja lidhen me rezervat shtetërore. Në këtë mbledhje, Qeveria ka marrë dy vendime që lidhen me to, shkruan

“Aprovohet Plani Strategjik 2024-2026 për Rezervat Shtetërore të Mallrave. Obligohet Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë për zbatimin e Planit Strategjik nga pika.1. këtij vendimi në pajtim me Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve dhe Ligjin Vjetor të Buxhetit”, është njëri prej vendimeve të marra.

Tjetri lidhet me rezervat shtetërore për këtë vit.

“Aprovohet Programi Vjetor për Rezervat Shtëtërore të Mallrave për vitin 2024. Obligohet Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë për zbatimin e Programit nga pika 1. Këtij vendimi në pajtim me Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve dhe Ligjin Vjetor të Buxhetit”, thuhet në vendimin e publikuar nga ZKM.

Dy ditë pas këtyre vendimeve, MINT ka shpallur tender për blerjen e grurit për nevojat e Rezervave Shtetërore.

Në dosjen e tenderit figuron se kjo ministri për sasinë e përafërt prej 13,300-13,333 tonë, ka ndarë 4 milionë euro.

Prokuroria Speciale vitin që shkoi e trajtoi rastin e rezervave shtetërore pas pretendimeve për keqpërdorime nga ana e Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.

Në vitin 2021, MINT ka shpallur tri herë procedurat e prokurimit për të blerë një sasi të Rezervës Shtetërore, nga të cilat një procedurë e prokurimit ka përfunduar me sukses, ndërsa dy procedura të prokurimit kanë dështuar, për shkak të mos ofertimit nga operatorët ekonomik”- thuhej në komunikatë.

Tre persona, dy zyrtarët e shtetit, Irfan Lipovica dhe Haviz Gara si dhe biznesmeni Rdvan Muharremi u arrestuan vitin që shkoi nën dyshimin për dallavere me blerjen e rezervave shtetërore.

Ridvan Muharremi, Irfan Lipovica dhe Hafiz Garan, të dyshuar në lidhje me keqpërdorimin e rezervave shtetërore, ishin liruar nga masa e paraburgimit më 31.08.2024 nga Gjykata e Apelit.

Gjykata e Apeli kishte konstatuar se në arsyetimin e Themelores për caktimin e paraburgimit nuk ka pasur mbështetje të artikulueshme mes provave të paraqitura dhe veprimeve të të pandehurve.

Sipas vendimit të Apelit në vendimin për caktimin e paraburgimit, më shumë ka pasur shpjegim kronologji të rastit, sesa vlerësim dhe arsyetim mbi faktet që janë paraqitur në kërkesën për caktimin e paraburgimit.

Tutje sipas vendimit të Apelit, në caktimin e paraburgimit themelorja ka pranuar në tërësi kërkesën e prokurorisë për caktimin e paraburgimit, duke mos u vlerësuar arsyeshmërinë e provave në drejtim të ekzistimit të dyshimit të bazuar.

Mediat kishin publikuar audio-incizime në të cilën dëgjohen sipas publikimit dy zyrtarë të MINT-it të cilët pretendojnë se vaji i paguar nga Polonia, nuk iu bashkua rezervave shtetërore.

Në vitin 2022., Qeveria e Kosovës kishte vendosur që furnizimi me produkte të Rezervave Shtetërore të Mallrave të përjashtohet nga procedurat e prokurimit.

Kjo kërkesë qe u aprovua nga Qeveria, erdhi nga Departamenti i Rezervave Shtetërore në Ministrinë e Industrisë.

“Qeveria e Republikës së Kosovës ka mbajtur mbledhje elektronike në të cilën është miratuar kërkesa e Departamentit të Rezervave Shtetërore në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë që furnizimi me produkte të Rezervave Shtetërore të Mallrave të përjashtohet nga procedurat e prokurimit. Gjatë vitit të kaluar dhe këtij viti, Republika e Kosovës ka rritur sasinë e nevojshme të rezervave në përputhje me Programin për rezervat shtetërore. Ndërkaq vendimi i sotëm ka për qëllim lehtësimin e mëtejmë të furnizimit me produkte të rezervës shtetërore, sipas nevojave”, thuhej në njoftim.

Rezervat shtetërore shfrytëzohen në rast të fatkeqësive të mëdha natyrore apo luftës.

Powered by WordPress