Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Sa është i arsyeshëm paraburgimi si masë e sigurisë?

Sa është i arsyeshëm paraburgimi si masë e sigurisë?

Është kritikuar sistemi i drejtësisë për përdorimin e shpeshtë të masës së paraburgimit. Përpos kësaj mase, kërkohet që varësisht çështjeve penale dhe specifikave të saj, të përdoren edhe masat tjera të sigurisë.

Është kufizimi më i rëndë i së drejtës për liri.

Paraburgimi siç parashihet me Kodin e Procedurës Penale, përdoret si masa më e rëndë për të siguruar praninë e të pandehurit në proces gjyqësor dhe parandalimin e përsëritjes së veprës penale.

Sipas raportit të Eulex-it për monitorimin në drejtësi, kjo masë e sigurisë në Kosovë përdoret në sasi të tepruar dhe të paargumentuar.

“Vetëm një numër shumë i vogël i aktvendimeve (shtatë nga 67) janë nxjerrë në përputhje me të gjitha parakushtet ligjore. Prandaj, EULEX-i konstaton se ka pasur shumë pak progres në zbatimin e rekomandimeve të tij në lidhje me përdorimin e tepruar të paraburgimit. Në lidhje me kohëzgjatjen e tepërt të paraburgimit, numri i të paraburgosurve për një kohëzgjatje më të gjatë (për më shumë se dy vjet) u rrit nga 37 në vitin 2021 në 61 në vitin 2023 dhe mund të konstatohet se ende ekziston një numër i konsiderueshëm i të paraburgosurve në gjykime të zvarritura për një kohë shumë të gjatë”, thuhet nga EULEX.

Bazuar në këtë, u rekomandua që të ndërmerren hapa për të siguruar proporcionalitetin e paraburgimit gjatë gjithë procedurës penale.

Varësisht llojit të veprës penale dhe specifikave të rastit, kërkohet që të konsiderohen masat tjera të sigurisë për të pandehurin, përpos asaj të paraburgimit.

“Në rastet e caktuara kur kemi një opsion të dytë, siç është masa e arrestit shtëpiak apo ndonjë masë më e butë, siç është ajo e dorëzanisë, kujtojmë kur kemi pasur propozime për dorëzani 100 mijë euro apo shifra milionëshe dhe janë refuzuar, atëherë nuk ka se si të kuptohet ndryshe përveç se sa një vendim arbitrar ndaj personit i cili është nën masën e paraburgimit. Po flasim gjithmonë për rastet të cilat janë duke u zhvilluar procesi për to dhe personi ndodhet nën masën e paraburgimit”, tha Kabashi nga IKD.

Masa e paraburgimit, konsiderohet se shkakton edhe barrë financiare për shtetin.

“Jo në të gjitha rastet të caktohet masa e paraburgimit, sepse kjo e rëndon buxhetin e Kosovës, ngase të njëjtit persona masën e paraburgimit e kryejnë nëpër burgjet e Republikës së Kosovës, të cilat financohen nga buxheti i Kosovës, për qytetarët të cilët nuk do duhej të ishin aty dhe automatikisht nënkupton që nëse një qytetar ndodhet në qendër të paraburgimit, ka koston e vet”, tha Anton Nrecaj nga Instituti Clard.

Ekziston baza ligjore për personat të cilët kanë qëndruar në paraburgim e që në fund lirohen nga akuzat, ku ua mundëson kompensimin e këtij qëndrimi.

Powered by WordPress