Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Konjufca priti në takim deputetët laburistë të Mbretërisë së Bashkuar

Konjufca priti në takim deputetët laburistë të Mbretërisë së Bashkuar

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur sot në takim deputetët anëtarë të grupit Miqtë Laburistë të Kosovës, Emma Lewell-Buck, Fabian Hamilton, Paul Foster dhe David Taylor, me të cilët diskutoi çështje të marrëdhënieve bilaterale midis Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar, për raportet të shkëlqyera dhe miqësore, si dhe për nevojën e thellimit të bashkëpunimit në të gjitha fushat, thuhet në njoftim për shtyp nga Kuvendi.

Tutje bëhet e ditur se Konjufca i falënderoi mysafirët për vizitën dhe shprehu mirënjohjen për kontributin e pakrahasueshëm të Mbretërisë së Bashkuar në drejtim të Kosovës, si në të shkuarën ashtu edhe aktualisht, dhe theksoi se miqësia mes dy vendeve bazohet në këtë të shkuar, në vlerat, interesat dhe qëllimet e përbashkëta.

Po ashtu, i njoftoi me çështje të aktualitetit, duke theksuar se bashkëpunimi me Mbretërinë e Bashkuar në sfera të ndryshme, duke përfshirë edhe atë të sigurisë është një garanci e zhvillimit dhe sigurisë për Republikën e Kosovën, siç edhe për stabilitetin rajonal në një kohë shumë delikate pas pushtimit të Rusisë në Ukrainë, duke marrë parasysh ndërhyrjet ruse në rajon përmes shteteve të saj aleate.

Deputetët e grupit laburist e falënderuan kryetarin Konjufca për pritjen dhe rikonfirmuan angazhimin e tyre për të forcuar edhe më tutje bashkëpunimin mes dy vendeve. Ata u shprehën se mbështetja ndaj Kosovës, ashtu si në të shkuarën, do të jetë e vazhdueshme dhe këmbëngulëse.

Powered by WordPress