Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Tiranë, kongresi studentor: papunësia dhe emigracioni janë pengesa kryesore

Tiranë, kongresi studentor: papunësia dhe emigracioni janë pengesa kryesore

Organizata rinore të studentëve nga Shqipëria, Kosova dhe rajoni po zhvillojnë në Tiranë një kongres, për të diskutuar problemet dhe sfidat, që ata ndeshin aktualisht. Përfaqësues të këtyre organizatave pohuan për Zërin e Amerikës se papunësia, emigracioni dhe shkollimi i dobët janë pengesa kryesore në jetën e tyre.

Kongresi studentor i organizatave nga Shqipëria, Kosova dhe rajoni diskutoi mbi sfidat e të rinjve në Ballkanin Perëndimor, ku sipas folësve kryesorë mbizotërojnë emigrimi për shkak të papunësisë.

Organizata Qëndresa Qytetare, vlerësoi se administrata shtetërore dhe universitetet e Shqipërisë, për shkak të menaxhimit klientelist e pa meritokraci të tyre, nuk arrijnë që të përgatitin të rinj me aftësi të larta profesionale sipas kërkesave të tregut.

Drejtuesi i organizatës Qëndresa Qytetare, Migen Qiraxhi thotë për Zërin e Amerikës se largimin e të rinjve po e ndjejnë të gjithë sektorët e jetës publike dhe private në Shqipëri, ndaj qeveria nevojitet të ndërmarrë politikat e duhura për të frenuar largimin e të rinjve dhe angazhimin profesional të tyre brenda vendit të tyre.

“Fatkeqësia në vendin tonë është se duket që qeverisësit nuk e konsiderojnë problem largimin e qytetarëve dhe të rinjve nga vendi, duke e justifikuar me lëvizjen e lirë. Lëvizja e lirë është e nevojshme dhe e domosdoshme, por ne vlerësojmë që krijimi i kushteve dhe mundësive në vendin tonë, që qytetarët ta konsiderojnë si shtëpi të sigurtë, me arsim dhe kujdes shëndetësor, do t’u jepte mundësi gjithë qytetarëve që të mos e brakstisin. Unë mendoj që askush nuk e ka luksin që të ndahet nga familja, nga prona, nga kombi, por e gjithë kjo po ndodh me një tension shumë të madh social, i cili i bie vendit si barrë, një dramë që po e përjetojmë çdo ditë”, tha zoti Qiraxhi.

Nga ana tjetër Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim ka 8 vite që punon për integritetin akademik dhe kundër plagjiaturave në universitetet publike të Kosovës, si dhe aktivizmin studentor.

Dibran Hoxha, përfaqësues i organizatës, thotë për Zërin e Amerikës së Kosova përballet me migrim të rinisë, çka duket në uljen e numrit të studentëve atje, si dhe me një mosinteresim të studentëve për tu angazhuar në zgjidhjen e shqetësimeve kryesore, siç është cilësia e ulët e studimeve në universitete si dhe qasja e dobët me tregun e punës.

“Universitetet tona publike dhe kolegjet private pranojnë një numër të madh të studentëve pa patur një lloj strategjie as edhe kombëtare se si do të qasen këta të rinj në tregun e punës. Kjo bie si barrë në kurrizin e studentëve, të cilët shpenzojnë shumë mjete financiare për të kryer studimet e tyre. Në masë të madhe, sidomos studentët në kolegjet private nuk marrin studimet aq cilësore, dhe në fund pas diplomimit mbeten pa u qasur në tregun e punës. Kjo është sfida më e madhe me të cilën përballen studentë e të rinj në Kosovë”, tha zoti Hoxha.

Papunësia në Shqipëri dhe në Kosovë është më e lartë në radhët e të rinjve, ndërsa studimet kanë vërejtur mungesë të vendeve të lira të punës nga një anë si dhe vështirësi për t’u punësuar në ato profesione, për të cilat janë kualifikuar të rinjtë.

Në këtë takim të organizatave rinore të rajonit u theksua se universitetet nuk arrijnë ta bëjnë sa më efektive nga ana profesionale kohën që të rinjtë e të rejat shpenzojnë në auditoret akademike, sepse këto nuk adresjojnë kërkesat e kohës, ndaj të rinjtë lënë vendin e tyre dhe studiojnë e integrohën në vende të tjera./VOA

Powered by WordPress