Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Dy nxënës rikthehen në shkollë pas një viti pauzë shkaku i kushteve të rënda ekonomike

Dy nxënës rikthehen në shkollë pas një viti pauzë shkaku i kushteve të rënda ekonomike

Dy nxënës në shkollën “Daut Bogujevci” në Fushë Kosovë, u janë rikthyer bankave shkollore një vit pasi kishin braktisur ato shkak i kushteve të rënda ekonomike. Pavarësisht se fëmijët kanë nisur të mbajnë mësim shtesë, rikthimi i tyre po konsiderohet i vështirë sa i përket aspektit emocional.

Për një vit shkollor, dy nxënës të shkollës “Daut Bogujeci” në Fushë Kosovë kishin qëndruar në shtëpi.

Për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike, familja kishte vendosur të mos i dërgonte fëmijët në shkollë.

Por pas një viti, këta nxënës u rikthyen në bankat shkollore.

Sekretari i shkollës, Betim Ahmeti tregon punën që ka bërë menaxhmenti që dy fëmijët të vijojnë shkollimin.

“Ata kanë qenë raste sociale, kështu që gjithmonë arsyetimi i prindit ka qenë që nuk mundet me ndjekë procesin mësimor se ka kosto meqenëse largësia me shkollën nuk është shumë e madhe, kështu që kemi organizuar forma të ndryshme të mbështetjes dhe kemi krijuar kushte që sot ata veç se janë në proces mësimor”, tha Ahmeti.

Aktualisht njëri prej tyre është në klasën e gjashtë dhe pas ndjekjes së mësimit shtesë pritet të sistemohet në klasën e shtatë, kurse nxënësi tjetër është në klasën e tretë.

“Duhet të fillojmë me procesin se ku kanë mbet ata, krijohen disa komisione, arritshmëritë e tyre vlerësohen dhe pastaj ecin në hapa të tjerë. Në qoftë se është e nevojshme edhe mësim shtesë e sidomos te këto raste që ndërpritet mësimi kemi punë edhe me mësim shtesë”, th ai.

E sipas psikologes së shkollës, Selvie Tërrnava, rikthimi i tyre pas një viti është i vështirë në aspektin emocional.

Por se janë të përkushtuar që këta fëmijë të ambientohen në shkollë pas një viti pauzë.

“Secili proces, sidomos kur ka shkëputje, është i ndarë dhe është i vështirë. Në këtë rast e kemi një vit pauzë, është një kohë shumë e madhe dhe fakti që i rikthehet bankave shkollore kërkon pak më shumë përkushtim edhe kërkon pak më shumë kujdes si në mirëqenien e tyre emocionale dhe në aspektin e tyre social. Për t’u ndihmuar sa më shumë këtyre nxënësve ne mbajmë takime me fëmijë, njëkohësisht edhe konsulta me kolegë si dhe menaxhmetin për formën si ka me qenë qasja ndaj këtyre fëmijëve”, tha psikologia e shkollës “Daut Bogujevci”, Selvie Tërrnava.

E këto nuk janë rastet e vetme në Fushë Kosovë që braktisin shkollimin e detyrueshëm me ligjet në fuqi.

Por deri më tani, sipas Drejtorit të Arsimit në këtë komunë, nuk janë marrë masa ligjore ndaj prindërve, fëmijët e të cilëve e kanë braktisur shkollën.

Por e lë të hapur mundësinë që një gjë e tillë mund të ndodhë së shpejti.

“Deri në këto momente nuk kemi marrë asnjë rast sa i përket kallximit penal apo hapave ligjor të familjarëve duke pasur parasysh qe shkollimi fillor është obligativ me ligj. Por unë u bëj thirrje prindërve nga televizioni juaj që të kenë kujdes pasi në një të ardhme të nesërme duhet të veprojmë edhe sa i përket masave ligjore”, tha drejtori i Arsimit në Prishtinë, Fatlum Berisha.

Braktisja e mësimit të detyrueshëm nga nxënësit në Kosovë ishte paraqitur edhe në raportin e progresit nga Komisioni Evropian.

Powered by WordPress