Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, ka vizituar sot kompaninë Agro-Florentina në Skenderaj, e cila merret me grumbullimin dhe përpunimin e kërpudhave, frutave të malit dhe bimëve aromatike.
Hamza ka thënë se sektorin privat do ta mbështesin pa asnjë rezervë.
“Por, pa asnjë rezervë, presim prej tyre t’i mbështesin edhe punëtorët, me kushte e paga më të dinjitetshme”, ka shkruar Hamza.
Postimi i plotë:
Agro-Florentina është një histori e vërtetë e suksesit në Skenderaj, prapa së cilës qëndrojnë shumë gra punëtore si protagoniste. Me vizion, punë dhe angazhim është ndërtuar një biznes frymëzues, që merret me grumbullimin dhe përpunimin e kërpudhave, frutave të malit dhe bimëve aromatike.
Gratë çdo ditë bëjnë sakrifica të mëdha për ta mbajtur familjen, veçanërisht tash kur kostoja jetësore është bërë e papërballueshme. Unë do të angazhohem që ato të fuqizohen ekonomikisht dhe t’iu ofrojmë mundësi të barabarta në tregun e punës.
Sektorin privat do ta mbështesim pa asnjë rezervë. Por, pa asnjë rezervë, presim prej tyre t’i mbështesin edhe punëtorët, me kushte e paga më të dinjitetshme.
Kosova mundet ma mirë!