Katër komuna kanë dalë kundër Doracakëve ‘Edukimi Seksual dhe Shëndeti Riprodhues’ 1-5, 6-9 dhe 10-12, duke vendosur për ndalimin e përdorimit të tyre në shkolla, pas reagimeve të shumta mbi përmbajten e tyre, që është cilësuar si abuzuese për fëmijët. Deri tash, një vendim të tillë e kanë marrë Komuna e Prishtinës, Skënderajt, Fushë Kosovës dhe ajo e Vitisë, raporton Express.
Komuna e parë që vendosi kundër përdorimit të këtyre doracakëve, ishte ajo e Prishtinës.
Nënkryetarja e kësaj komune, njëherit Drejtoreshë për Arsim, Jehona Lushaku Sadriu, njoftoi për këtë vendim, derisa u bëri thirrje edhe komunave të tjera që të veprojnë njëjtë, duke e cilësuar përmbajtjen e doracakëve si “ përmbajtje perverse”.
“Është e paprecedent, se si ky pushtet po keqtrajton familjen kosovare. Është skandaloze se si Ministrja në pushtet, në krye të të vetmit institucion përgjegjës për tekstet mësimore, ka aprovuar dhe ka promovuar material me përmbajtje perverse. Këto tekste në vend se të plasonin njohuri e diskutim bazik për edukimin seksual, kanë paraparë aktivitete në praktikë- prekje me fëmijë nën moshën adekuate. Kjo përmbajtje është jo vetëm e dëmshme, por edhe abuzuese me fëmijët ”, ka shkruar Lushaku Sadriu.
Postimi i saj u shpërnda edhe nga kreu i LDKsë, Lumir Abdixhiku, i cili e mbështeti në këtë vendim.
Pas Prishtinës, një vendim të tillë e mori edhe Komuna e Skënderajt.
Drejtori për Arsim, Kastriot Duraku, ka thënë se arsyeja e këtij vendimi, i cili është marrë në mirëkuptim dhe bashkëpunim me mësimdhënës dhe drejtorë të shkollave, “ka të bëjë me degradimin e familjes kosovare nga ana e institucioneve përgjegjëse, dhe si i tillë nuk do të përdoret në asnjë institucion arsimor në komunën e Skenderajt deri në revidimin e tij”
Edhe Fushë Kosova u bashkua në këtë vendim. Sipas kësaj komune, përmbajtja e këtyre doracakëve është e dëmshme dhe abuzuese me fëmijët.
“Përfaqësuesit e Komunës së Fushë Kosovës nga Drejtoria e Arsimit edhe gjatë diskutimeve me MASHT lidhur me këtë temë kanë shprehur shqetësimin për përmbajtjen e udhëzimeve ku janë paraparë aktivitete në praktikë – prekje me fëmijë nën moshën adekuate. Fatkeqësisht, kjo qeveri nuk ka marr për bazë vërejtjet dhe shqetësimet e arsyeshme të shprehura nga zyrtarët kompetent të fushës së arsimit e përfaqësuesve të prindërve dhe përmbajta si e tillë e miratuar nga MASHT është e dëmshme dhe e papranueshme. ”
Vendim për ndalimin e doracakëve do të marrë sot edhe Komuna e Vitisë. Këtë e ka bërë me dije Kryetari i kësaj komune, Sokol Haliti.
“Ky vendim do të merret pasi kemi shqyrtuar përmbajtjen e këtyre udhëzimeve dhe shqetësimet e ngritura nga përfaqësuesit e Komunës dhe nga prindërit, lidhur me përshtatshmërinë e aktiviteteve dhe materialeve të propozuara. Ne besojmë se përmbajtja e këtyre doracakëve nuk është e përshtatshme për fëmijët dhe nxënësit tanë dhe mund të ndikojë negativisht në zhvillimin e tyre të shëndetshëm. Kjo është një masë që do të ndërmerret me qëllim mbrojtjen e interesave dhe mirëqenies së nxënësve tanë, si dhe për të siguruar që edukimi të jetë në përputhje me vlerat dhe normat tona.”
Ministria e Arsimit ka njoftuar se do të ketë rishikim të këtyre doracakëve, duke theksuar se nuk janë obligativ dhe se nuk janë tekste për nxënësit.
“Propaganda që po zhvillohet ditëve të fundit, shoqëruar me dezinformata dhe manipulime duke konstatuar se këta doracakë janë kurrikula arsimore e pastaj duke i paraqitur si libra shkollorë për nxënës e deri tek obligueshmëria e zbatimit të tyre, është në dëm të mirëqenies dhe sigurisë së fëmijëve. Si Ministri e Arsimit, me përgjegjësi të plotë punojmë dhe angazhohemi për mirëqenien e fëmijëve. Tre vitet e fundit kemi rishikuar shumë tekste dhe dokumente që kanë përmbajtje dhe gjuhë të papërshtatshme dhe denigruese sikurse edhe pasaktësi shkencore. Në linjë me këtë, ju informojmë se në vijimësi të rishikimit të teksteve shkollore, do të rishikohen edhe këta doracakë dhe materialet tjera informative për mësimdhënës”, thuhet në reagimin e MASHT.