Shprehja “S’ki fat, ki afat” nuk është e panjohur mes studentësh në Kosovë.
As hyrja e studentëve mbi 10 herë në provimin e një lënde, apo zvarritja me vite e studimeve për një provim, nuk janë histori të padëgjuara, shkruan Radio Evropa e Lirë.
Ditëve të fundit, Parlamenti Studentor i Universitetit të Prishtinës (UP) – më të madhit në Kosovë – u bëri thirrje studentëve të bojkotonin mësimin deri në miratimin e një kërkese për shtim të afateve të provimit.
Kërkesa u miratua.
Situata është kështu: Statuti i ri i UP-së parasheh tri afate të provimeve: në janar, në qershor dhe në shtator. Studentët kanë të drejtë t’i nënshtrohen provimit përfundimtar deri në tri herë.
Senati i UP-së e ka miratuar kërkesën e tyre për mbajtje të provimeve edhe në nëntor dhe në prill, deri në tri herë për secilin provim. Kështu, studentët do t’i kenë pesë afate brenda një viti.
Eksperti i çështjeve të arsimit, dikur edhe zëvendësministër i Arsimit në Kosovë, Dukagjin Pupovci, është kundër shkeljes së rregullores së Universitetit.
“Arsyetimi, me të cilin janë shtuar afatet është i papranueshëm, gjoja po shtohen afate për vlerësim të vazhdueshëm. Kemi studentë, të cilët hyjnë në provime në kohën kur kanë provime të padhëna nga viti paraprak, dhe të njëjtën kohë ndjekin edhe studimet e vitit aktual”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.
Halim Hyseni, nga Qendra për Avancimin e Performancës së Arsimit (QAPA), nuk është kundër afateve shtesë, në situata ideale të studimit.
“Kemi studentë me prirje të jashtëzakonshme, që nuk kanë nevojë të presin një vit për një provim, mund ta përfundojnë atë provim kur të jenë gati dhe kështu përparojnë. Nëse në mënyrë burokratike e vendosim vetëm një afat, ata duhet të presin dhe e humbin dëshirën për mësim dhe avancim”, thotë Hyseni për REL-in.
Por, edhe ai e pranon se situata në UP vetëm ideale nuk është.
Argumentet për dhe kundër
Problemi kryesor me afate, sipas Pupovcit, është sepse po mundësohet regjistrimi i vitit të ardhshëm akademik, pa i përfunduar pothuajse gjysmën e provimeve të vitit paraprak.
Kështu, vlerëson Pupovci, shkaktohen mungesa dhe shkëputje nga ligjëratat e vitit të ri.
Ai do të arsyetonte disa përjashtime të vogla, shembull regjistrimin e vitit të ri akademik me një provim të papërfunduar, apo lëshime të tjera në disa fakultete, sikur në atë të Mjekësisë, mirëpo pa e cenuar asnjëherë cilësinë e mësimit.
“Edhe në Fakultetin e Mjekësisë, nëse arrin në vitin e tretë me gjysmën e provimeve të padhëna të vitit të dytë, sigurisht që nuk mund ta përcjellësh si duhet materialin e atij viti, dhe ajo më pas ndikon në cilësinë e përgatitjeve të studentit si profesionist i ardhshëm”, thotë ai.
Edhe Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA) e kundërshtoi thirrjen për shtim të afateve shtesë.
“Organizimi ilegal i afateve shtesë të provimeve, që ishte praktikë e deritashme e Universitetit të Prishtinës, e ka dëmtuar cilësinë në arsimin e lartë, ku gjatë këtyre afateve sallat e ligjëratave boshatisen, aktivitetet tjera akademike shuhen në periudha të shpeshta, sa herë që mbahen afatet ilegale shtesë të provimeve”, ka thënë organizata nëpërmjet një reagimi në Facebook.
Hyseni e përshëndet vendimin vetëm që “jeta studentore të mos bëhet monotone”.
Por, lista e tij e pakënaqësive me sistemin e arsimit në Kosovë është e gjatë. Nisur nga “kurrikulat e vjetërsuara”, e deri te nevoja e lidhjes së teorisë me praktikën.
Cilësia e arsimit
Problemet në sistemin arsimor në Kosovë nuk janë të ditëve të sotme. Ato janë trashëguar ndër vite dhe në çdo raport të huaj është përmendur nevoja për reforma rrënjësore.
Mungesa e llogaridhënies, zhvillimi profesional i mësimdhënësve dhe nevoja për digjitalizim janë përmendur si më kryesoret.
Në testimet e programit ndërkombëtar për vlerësimin e nxënësve të nivelit parauniversitar, PISA, Kosova rëndom renditet në vendet e fundit.
Në ndarjet buxhetore për vitin 2025, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, pritet t’i ketë 99.6 milionë euro, nga 100.1 milionë sa kishte për vitin 2024.
Kjo do të thotë 2.77 për qind e buxhetit vjetor.
Vetë UP-ja ka thënë muaj më parë që ka shënuar ngritjen më të madhe në platformën Webometrics, duke u renditur e 2606-ta nga rreth 32 mijë institucione të arsimit të lartë gjithandej globit.
Pupovci tërheq vërejtjen që aty vlerësimi nuk mbështetet domosdo në cilësinë e universitetit.
Ai e pranon se viteve të fundit janë bërë avancime në punën kërkimore dhe se modelet e ligjërimit nuk janë të këqija në letër, por thotë se gjithçka varet nga funksionimi.
“Mënyra e vlerësimit është shpeshherë me teste, që do të thotë se studentët nuk mësojnë për dije, respektivisht nuk mësojnë prej librave, por shkojnë në ato fotokopjet që janë pranë universitetit, i blejnë pyetjet që kanë rënë në vitet e kaluara, i mësojnë ato dhe ashtu kalojnë. Kemi raste të tilla dhe kjo nuk flet për cilësi”.
Praktikat e vendeve tjera
Edhe në universitetet e rajonit, në Shqipëri dhe në Maqedoni të Veriut, studentët kanë katër e më tepër afate provimesh brenda një viti.
Në Universitetin e Vjenës ekzistojnë tri afate të rregullta, dhe një shtesë me komision.
Në disa universitete të tjera evropiane ekziston vetëm afati dimëror dhe ai veror, e ka edhe të tilla ku ekziston vetëm një mundësi brenda vitit.