“Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht Departamenti i Hetimeve, bazuar në autorizimet ligjore i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e tre punonjësve të Policisë së Kosovës të dyshuar për veprën penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”.”
Ata dyshohet se dy zyrtarë policorë nga njësia e trafikut të kryeqytetit dhe një zyrtar tjetër i Stacionit Policor Jugu në Prishtinë kanë tejkaluar autorizimet e tyre të përdorimit të forcës.
Incidenti dyshohet të ketë ndodhur në mbrëmjen e datës 11 nëntor në Fushë Kosovë, me rastin e ndalimit të një qytetari.
“Informacionet e para lidhur me këtë rast IPK i ka pranuar nga Policia e Kosovës dhe pas veprimeve fillestare hetimore dyshohet se dy zyrtarë policorë nga njësia e trafikut të kryeqytetit dhe një zyrtar tjetër i Stacionit Policor Jugu në Prishtinë kanë tejkaluar autorizimet e tyre të përdorimit të forcës. Incidenti raportohet të ketë ndodhur në mbrëmjen e datës 11.11.2024 në Fushë Kosovë me rastin e një ndalimi në trafik të një qytetari nga zyrtarët policorë.”
IPK njofton se hetuesit e IPK-së në konsultim dhe koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë pritet të ndërmarrin edhe veprime tjera hetimore drejt sqarimit të rrethanave të këtij incidenti.