Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Afër apo larg përfundimit të gjykimit të ish-krerëve të UÇK-së!

Afër apo larg përfundimit të gjykimit të ish-krerëve të UÇK-së!

Prilli i vitit 2025 i përmendur si afat për përmbylljen e rastit ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi nga ana e Prokurorisë së Specializuar, ka ngjallur shpresat se ky proces po shkon drejt fundit. Avokati i akredituar në Gjykatën Speciale, Artan Qerkini, thotë se në shtator të vitit të ardhshëm mund të ketë një vendim të shkallës së parë për këtë rast. Ai shprehet optimist për një aktgjykim lirues ndaj ish-krerëve të UCK-së.

“Nëse vazhdohet me këtë dinamikë besoj e në shtatorin e vitit të ardhshëm mund të kemi një verdikt të shkallës së parë mirëpo kjo në masë të madhe do të varet nëse mbrojtja do te propozojë prova apo dëgjimin e dëshmitarëve, varësisht nga numri i dëshmitarëve që propozon mbrojtja mund të ndikojë në shtyrjen e afatit. Marrë parasysh faktin që lënda është shumë voluminoze njëra palë do të shkojë në apel po shpresojmë prokuroria …nëse do të ketë aktgjykim lirues do të ndërpritet paraburgimi. Natyrisht që në bazë të provave që janë administruar deri me tani s’është arritur të provohet fajësia dhe natyrisht pritet një aktgjykim lirues por mbetet të shihet çfarë do të vendos gjykata”, tha Qerkini për rtv21.

Procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nisi më 3 prill të vitit të kaluar. Numri i dëshmitarëve në këtë proces tashmë ka arritur në rreth 100 derisa pritet të dëgjohen edhe 43 dëshmitarë të tjerë. Prokuroria ka hequr dorë nga disa dëshmitarë. Monitoruesi i këtij procesit gjyqësor nga Fondi për të Drejtën Humanitare, Amer Alija, thotë se një vendim i shkallës së parë në rastin Thaçi dhe të tjerët mund të merret në fund të vitit 2025 eventualisht në fillim të vitit 2026.“Çdo gjë varet prej kohëzgjatjes së dëgjimit të dëshmitarëve, prej administrimit të provave, janë gjasa shumë reale që deri në fund të vitit të ardhshëm ose deri në fillim të vitit 2026 të kemi një vendim te shkallës së parë. BE-ja ShBA-ja dhe Zvicra janë duke përkrahur dhe financuar dhomat dhe s’besoj se do të kemi shuarje te dhomave të specializuara”, tha Alija.

Kryetarja e Gjykatës Speciale Ekaterina Trendafilova një ditë më parë në konferencë për media tha se u takon gjykatësve që të vendosin nëse do të lirojnë nga paraburgimi katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kur Prokuroria të përfundojë rastin e saj në prill të vitit të ardhshëm për t’i hapur rrugë çështjes së mbrojtjes.Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi akuzohen për krime lufte. Për të gjitha akuzat ata janë deklaruar të pafajshëm.

Powered by WordPress