Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Kryetarja e Gjykatës Speciale pranon se pyetjet orientuese janë të ndaluara dhe kërkon të shohë videot

Kryetarja e Gjykatës Speciale pranon se pyetjet orientuese janë të ndaluara dhe kërkon të shohë videot

Disa video të publikuara kanë zbuluar pyetje nga gjyqtarët e Gjykatës Speciale, të cilat përfshijnë formulime si “le të imagjinojmë” dhe “le të supozojmë” drejtuar dëshmitarëve në raste të caktuara. Ndërkohë, kryetarja e Gjykatës ka deklaruar se këto lloj pyetjesh janë të ndaluara dhe ka kërkuar që të shikojë këto video gjatë vizitës së saj në Kosovë.

Para 8 muajsh, kur në Gjykatën Speciale kishte shkuar për të dëshmuar ish-eprori i UÇK-së, Hajrush Kurtaj, gjyqtari zviceran në rastin e krerëve të UÇK-së, Genel Metro, bëri disa pyetje. “Le të imagjinojmë”, “Le të supozojmë”, “Mbase pyetje spekuluese”. Të gjitha këto, Nacionale i publikoi edhe me video.

Edhe në disa raste të tjera, ndërhyrja dhe përfshirja e gjyqtarëve me pyetje për dëshmitarë u kritikua në Kosovë.

Kryetarja e Gjykatës Speciale në Hagë, Ekaterina Trendafilova, në konferencën e djeshme për gazetarë, u pyet nga Nacionale pikërisht për këto pyetje, dhe për mesazhin që mund të përçojnë të njëjtat në vendimin përfundimtar.

Në fillim të përgjigjes, kryetarja e Speciales, deklaroi se gjyqtarët në Hagë janë shumë të përgatitur. Ajo e konfirmoi se pyetjet e tilla janë të ndaluar me kornizën ligjore të Dhomave të Specializuara, megjithatë, kërkoi t’i shohë videot e Nacionales kur të vie në Kosovë.

“Ne kurrë nuk do të tolerojmë këtë lloj të pyetjeve, unë të besoj por dhe kur të vi në Kosovë do të takohemi dhe do të mi tregoni këto video, por besoj se nuk ishte mënyrë për të udhëhequr përgjigjet në diçka që gjyqtarët duan të dëgjojnë, por ta vendosin në kontekst që dëshmitarët ta kuptojnë përgjigjen. Kjo është bazuar në eksperiencën time, ne nuk tolerojmë dhe lejojmë, pyetje udhëheqëse dhe orientuese”, tha Trendafilova.

Pavarësisht se tha që janë të ndaluara, Trendafilova më tutje vazhdoi duke thënë se ka raste kur pyetjet e tilla mund të bëhen për ta ndihmuar dëshmitarin, e jo me ndonjë qëllim të keq.

“Unë nuk kam dëgjuar pyetje të llojit të tillë, por unë të besoj ty. Por nëse dëshmitari është laik, ndoshta nuk është e lehtë të kuptojë pyetjen, dhe kështu gjyqtarët tentojnë ta thonë psh le të supozojmë. Duke e bërë pyetjen në një skenar më të thjeshtë, që mund të punojë me njohurinë e dëshmitarëve, dhe dëshmitari mund ta kuptojë pyetjen”, tha më tutje kryetarja e Dhomave të Specializuara të Hagës.

Trendafilova më tutje lavdëroi gjyqtarët, duke thënë se ata janë tejet aktiv dhe kërkojnë ta gjejnë me çdo kusht të vërtetën.

“Para se të gjithash, ju e dini se në sistemin tonë i cili është sistemi kontinental, gjyqtarët supozohet të jenë aktiv sepse është përgjegjësi e gjyqtarëve të gjejnë të vërtetën, kjo është pse gjyqtarët tanë, vazhdimisht, njëri prej tyre, isha e impresionuar në fakt se sa mire janë të përgatitur ata për secilin dëshmitar, lexojnë dëshmitë, më pas diskutojnë. Sepse në fund të ditës është përgjegjësi e e çdo paneli gjyqësor ta zbulojnë të vërtetën, dhe gjyqtarët duhet ta kenë mundësi të bëjnë pyetje, dhe kjo është reflektuar edhe në rregullimin ligjor të Dhomave të Specializuara. Dhe kështu kemi punuar”, tha ajo, raporton Nacionale.

Powered by WordPress