Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Bota > Trump emëron Muskun në krye të një departamenti të ri

Trump emëron Muskun në krye të një departamenti të ri

Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, do të emërojë Elon Muskun në një rol që synon të krijojë një qeveri më efikase, duke i dhënë edhe më shumë ndikim njeriut më të pasur në botë, i cili dhuroi miliona dollarë për të ndihmuar Trumpin që të fitonte zgjedhjet presidenciale.

Musk dhe ish-kandidati republikan për president, Vivek Ramaswamy, do të drejtojnë së bashku një Departament të sapokrijuar për Efikasitetin e Qeverisë, entitet, që sipas Trumpit, do të operojë jashtë ekzekutivit amerikan.

Përmes një deklarate, Trump tha se Musk dhe Ramaswamy, “do t’i mundësojnë administratës sime që të zhdukë burokracinë qeveritare, që të zvogëlojë numrin e rregulloreve të tepërta, që të shkurtojë shpenzimet e kota dhe që të ristrukturojë agjencitë federale”.

Trump tha se ky departament i ri do të realizojë ëndrrat e kamotshme të republikanëve dhe do të ofrojë “këshilla dhe udhëzime nga jashtë Qeverisë”, duke sinjalizuar se rolet e Muskut dhe Ramaswamyt mund të jenë joformale dhe nuk do të ketë nevojë për miratimin e Senatit për emërimin e tyre. Një gjë e tillë do t’i mundësonte Muskut që të mbeste në krye të kompanisë së tij për makina elektrike, Tesla, të platformës sociale X, dhe të kompanisë së raketave, SpaceX.

Departamenti i ri do të punojë me Shtëpinë e Bardhë dhe Zyrën për Menaxhim dhe Buxhet për të “udhëhequr reformat në shkallë të gjerë dhe për të krijuar një qasje të formës sipërmarrëse” ndaj Qeverisë që nuk është parë më parë, tha Trump.

Puna e këtij departamenti, sipas Trumpit, do të përfundonte më 4 korrik 2023, në 250-vjetorin e nënshkrimit të deklaratës së pavarësisë së SHBA-së.

Musk, i listuar si personi më i pasur në botë nga revista Forbes, veçse pritej të përfitonte nga fitorja e Trumpit, pasi sipërmarrësi miliarder pritet të ushtrojë ndikim të jashtëzakonshëm për të ndihmuar kompanitë e tij dhe për të siguruar trajtim më të favorshëm nga Qeveria.

Musk ka dhënë miliona dollarë për të mbështetur fushatën e Trumpit për zgjedhjet presidenciale dhe të dy kanë pasur edhe dalje publike.

Trump i ka lidhur përpjekjet për efikasitet me Projektin Manatan, ndërmarrja e SHBA-së për krijimin e bombës bërthamore që ndihmoi në përfundimin e Luftës së Dytë Botërore, teksa Musk premtoi se do të ketë transparencë.

“Të gjitha veprimet e Departamentit për Efikasitet të Qeverisë do të publikohen online me transparencë maksimale”, tha Musk në X, duke i kërkuar publikut që të japë këshilla.

“Ne po ashtu do të merremi me shpenzimet mëdha të dollarëve të taksave tuaja. Do të jetë jashtëzakonisht tragjike dhe jashtëzakonisht argëtuese”, tha Musk.

Në tetor, gjatë një tubimi të Trumpit, Musk kishte deklaruar se buxheti federal mund të ulet “për të paktën” 2 trilionë dollarë. Sipas Zyrës së Buxhetit në Kongres, shpenzimet diskrecionale, përshirë shpenzimet e mbrojtjes, vlerësohet se janë 1.9 trilion dollarë nga 6.75 trilionë dollarë sa janë shpenzimet e përgjithshme federale për vitin fiskal 2024.

“Paratë tuaja po shpërdorohen dhe Departamenti për Efikasitet të Qeverisë do ta rregullojë këtë problem”, tha Musk gjatë tubimit.

Ndërkaq, Ramaswamy është themelues i një kompanie farmaceutike. Ai kishte garuar kundër Trumpit për nominimin e republikanëve, por kur u tërhoq nga gara, ai mbështeti ish-presidentin Trump.

Në një libër të publikuar më 2021, Ramaswamy ka kritikuar vendimet e disa kompanive të mëdha që bazojnë strategjinë e tyre të biznesit rreth drejtësisë sociale dhe shqetësimeve për ndryshimet klimatike.

Ramaswamy tha se ky emërim nënkupton se ai do të tërhiqet nga synimi për t’u emëruar anëtar i Senatit në Ohajo.

Powered by WordPress