Kryetari i komunës, Zenun Elezaj, Marqe Selmanaj dhe Haxhi Ibishi do të jenë kandidatë të koalicionit ku bën pjesë AAK-ja, në zgjedhjet e 9 shkurtit.
“Ekspertizën dhe përvojën e tij, si dhe qeverisjen model në komunë, Prof. Zenun Elezaj do ta bartë edhe në nivelin qendror si deputet i Kuvendit te Kosoves. Përvoja e pasur e si profesionistë të dëshmuar e Marqe Selmanaj dhe Dr. Haxhi Ibishi, padyshim se qytetarëve të Klinës i jep shans për përfaqësim dinjitoz në Kuvendin e Kosovës”, ka shkruar Haradinaj.
Tutje Haradinaj ka bërë disa premtime, duke thënë se pagat mesatare në fund të mandatit do të shkojnë në rreth 1500 euro.
“Në qeverinë e ardhshme që ne synojmë ta ndërtojmë, vlera e koeficientit do të jetë 155 euro. Që në vitin e parë nuk do të ketë pagë minimale nën 500 euro dhe pagë mesatare nën 1000 euro. Pagat në vitet vijuese do të rriten 12-13% për çdo vit, dhe në fund të mandatit qeverisës më 2028, paga mesatare do të jetë rreth 1500 euro. Rritja e pensioneve të të gjitha kategorive në vitin 2025 do të jetë 50% në krahasim me shumat e paguara në vitin 2024, dhe pastaj do të ndjek kuoten e rritjes sipas modelit të rritjes së pagave”, ka shkruar lideri i AAK-së.