Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Çka u votua dje jashtë rendit të ditës në Kuvend që deputeti i LDK’së thotë se është shkelje e rëndë kushtetuese

Çka u votua dje jashtë rendit të ditës në Kuvend që deputeti i LDK’së thotë se është shkelje e rëndë kushtetuese

Kuvendi i Kosovës dje miratoi në shqyrtim të parë Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2025.

Pas kësaj, kryetari i Komisionit për Buxhet dhe Transfere,  Armend Muja, paraqiti mocion për shmangie nga afatet procedurale lidhur me  amendamentimin dhe shqyrtimin e këtij ligji. Mes tjerash, pas propozimit rreth shqyrtimit nëpër komisione funksionale dhe tjera, kërkoi që shqyrtimi i dytë i këtij projektligji të bëhet në seancë plenare me datën 21 nëntor.

Edhe pse propozimi i Mujës mori mbështetjen e deputetëve të nevojshëm, deputetët opozitarë Arben Gashi, Besnik Tahiri e Mërgim Lushtaku kundërshtuan këtë propozim.

Ndërkaq, sot Gashi tha se kjo përbën shkelje të rëndë kushtetuese meqë  Kuvendi ka votuar për një çështje që nuk ishte përfshirë në rendin e ditës.

“Në seancën e fundit të Kuvendit të Kosovës, është evidentuar një shkelje e rëndë kushtetuese dhe procedurale”, tha Gashi, duke shtuar se rregullorja e Kuvendit e bën të qartë se çdo ndryshim në rendin e ditës duhet të ndjekë një procedurë të përcaktuar qartë në nenin 53 të rregullores: 1. Propozimin dhe votimin për heqjen ose plotësimin e çështjeve në rendin e ditës nga kryetarët e grupeve parlamentare ose të paktën gjashtë deputetë; 2. Mbështetjen nga 2/3 e deputetëve të pranishëm për shtimin e një çështjeje të re, apo procedura të tjera të veçanta për çështje urgjente”, tha Gashi.

Kuvendi ishte thirrur për të diskutuar vetëm një çështje të rendit të ditës: shqyrtimin e projektligjit për ndarjet buxhetore për vitin 2025.

Gashi tha se ndryshimi i rendit të ditës nuk është realizuar sipas rregullores dhe nuk ka pasur votimin e kërkuar nga deputetët për të miratuar këtë ndryshim.

“Ky veprim është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me parimin e shtetit të së drejtës dhe sundimit të ligjit, të garantuar nga Kushtetuta e Kosovës. Çdo veprim i Kuvendit që nuk respekton rregulloren dhe procedurat zyrtare shkel parimet e transparencës dhe sigurisë juridike për deputetët dhe qytetarët”.

Gashi tha se ky precedent rrezikon integritetin e procesit vendimmarrës dhe dobëson besimin e publikut në institucionet demokratike të vendit.

“Ndjekja e rreptë e ligjit dhe respektimi i procedurave janë themelore për të ruajtur një sistem të drejtë dhe funksional në Republikën e Kosovës”.

Gashi tha se do ta ndjekin këtë çështje.

“Ne mbetemi të përkushtuar për të ndjekur këtë çështje dhe për të kërkuar që çdo vendim në Kuvendin e Kosovës të respektojë Kushtetutën dhe rregulloren në fuqi”.

 

 

Powered by WordPress