Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Me Trumpin president çdo opsion është në tavolinë, duke mos përjashtuar as “idenë që nuk ka vdekur” të këmbimit të territoreve

Me Trumpin president çdo opsion është në tavolinë, duke mos përjashtuar as “idenë që nuk ka vdekur” të këmbimit të territoreve

Përgatiti: Afrim Kasolli

Rikthimi historik i kandidati republikan për president, Donald Trump, në Shtëpi të Bardhë, ka nxitur shumë dilema dhe pikëpyetje mbi fatin procesit negociator ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe atë të një marrëveshje eventuale ndërmjet dy vendeve. A do të mbështes Uashingtoni zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit apo do të jetë insistues në promovimin e një procesi paralel dialogues me qendër Uashingtonin, duke mos e përjashtuar as këmbimin e territoreve si shans për pajtim ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës?

Këtu duhet kujtuar se jo shumë ditë më parë ish-ambasadori amerikan në OKB dhe ish-këshilltari i sigurisë kombëtare së Presidentit Dolald Trump, John Bolton kishte deklaruar se për një kohë SHBA-të shpresonin se “Kosova dhe Serbia mund të pajtohen më një marrëveshje ta pranuar për të dy palët, duke përfshirë edhe këmbimin e territoreve”. Ndërkaq në linjë më këtë tezë edhe Grupi Ndërkombëtar i Krizave në një studim për këtë temë ishte shprehur kritik se pse disa nga shtetet e Bashkimit Evropian me theks të veçantë, Gjermania, e kishte kundërshtuar në mënyrë kategorike këtë skenar, nëse ndërmjet dy shteteve do të kishte pajtim. Po ashtu, kohë më parë në një intervistë për Kanalin 10, Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, nuk e kishte mohuar në mënyrë apriori diskutimin edhe për këtë opsion. Mirëpo, sipas diplomatit amerikan një këmbim i tillë mund të bëhet vetëm nëse ka pajtim demokratik ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, dhe se tash për tash Uashingtoni e mbështet procesin e dialogut të lehtësuar nga Brukseli. Në anën tjetër, në një intervistë Al Jazeera, kryeministri Kurti kishte deklaruar se ajo “si ide nuk ka vdekur dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është nostalgjik për atë kohë”.

Prandaj, shtrohet pyetja se kjo ide që “është ende e gjallë” a mund të imponohet si alternativë ndaj Marrëveshjes bazë të Brukselit, sidomos në një kohë kur marrim parasysh disa kriza tjera ndërkombëtare sikur se ajo në Ukrainë, e që disa eksponentë të administratës Trump 2 nuk e kanë përjashtuar opsionin e zgjidhjeve territoriale si parakusht për ta ndalur luftën në atë shtet. Vetë, kandidati i tij për zëvendës president, JD Vance, ka propozuar që Ukraina duhet të pajtohet me humbjen e 20 për qind të territorit të pushtuar nga ushtria ruse si dhe të heq dorë nga ambiciet për t’u bërë pjesë e NATO-së. Kurse emri i përfolur për Sekretar Shteti Senatorin Marco Rubio, ka thënë në intervistat e fundit se Ukraina duhet të kërkojë një zgjidhje të negociuar me Rusinë, në vend që të fokusohet në rifitimin e të gjithë territorit që Rusia ka marrë në dekadën e fundit. Ai ishte gjithashtu një nga 15 senatorët republikanë që votuan kundër një pakete ndihme ushtarake prej 95 miliardë dollarësh për Ukrainën, të miratuar në prill.

Kështu, analistë të si vendor as ndërkombëtarë, nuk e kanë përjashtuar një skenar të tillë as për rastin Kosovës. Me këtë rast në një intervistë për TV Arbëria, analisti politik, Visar Xani në një prononcim për TV Arbëria, është shprehur se Kosova duhet të jetë e gatshme për çdo skenarë të mundshëm.

“Fillimisht Kosova duhet të jetë gati për çdo skenarë të mundshëm, nuk them sa i përket preferencave por sa i përket, por sa i përket zhvillimeve gjeopolitike”, është shprehur Xani.

Sa i përket dialogimit, administrata Trump ka pasur tjetër strategji, atë të agjendës së tij e cila ka qenë korrigjimi i kufijve, thotë analisit.

“E dimë që administrata Trump ka pasur strategji tjetër sa i përket dialogimit dhe është përfolur që ka pasur në agjendë të korrigjimit të kufijve”, tha ai.

Sipas tij, Kosova ka dështuar për ta shtyer procesin përpara gjatë administartës së Biden, ndërkaq analisti nuk beson që Trump do të merret me marrëveshjet e Brukselit dhe të BE-së.

“Gjithsesi ne dështuam si Kosovë për ta shfrytëzuar administratën Biden dhe për të shtyer procesin përpara. Nuk besoj që Trump do të merret shumë me marrëveshjet e Brukselit dhe të BE-së, por do të ketë propozime të tjera.”

Lidhur me aludimet për këmbimin e territoreve, kur përflitet se në Ukrainë do të ketë një gjë të tillë, e cila është anëtare e OKB-së, Xani thotë se Kosova e ka të pamundshme për të dalur kundrejtë këtyre aleancave.

“Aq më shumë kur po flitet për këmbim të territoreve jo vetëm në Kosovë por në vatra të ndryshme të krizës dhe një gjë të tillë do të thotë mund të shkaktojë probleme, dhe ne si Kosovë e kemi të pamundshme për të dalur kundrejtë këtyre aleancave, nëse pra ka ndarje të Ukrainës një shtet që është anëtarë i OKB-Së dhe ne si Kosovë që jemi në përpjekje të shtet ndërtimit”, deklaroi Xani për TV Arbëria.

Ndër tjera, sipas analistit rreziku do të jetë i lartë, por që Kosova duhet të ketë plan A dhe B, në mënyrë që të ketë përgjigje në kohë.

“Prandaj, rreziku do të jetë i lartë por duhet të kemi plane A dhe B për t’iu përgjigjur në kohë këtyre ideve dhe për të shpresuar për të marrë më të mirën të mundshme që të paktën ky korrigjim mos të dëmtojë Kosovën. Gjithsesi këto janë teori të cilat mund të kenë tendencë për tu zhvilluar por sa do të kenë sukses është një pikëpyetje e madhe dhe mbase edhe mund të sjellin pasoja por diku edhe mund të funksionojë.”

Sipas tij, Kosova do të duhej të kishte një marrëveshje e cila nuk i prek kufijtë dhe që i mundëson integrimin në BE dhe NATO, ndryshe një fuqi si administrata Trump çdo politik mund ta shtyej, sepse s’mund ta ndalojë askush.

“Por, ne si Kosovë do të duhej të paktën të kishim një marrëveshje e cila nuk i prek kufijtë dhe që i mundëson Kosovës integrim në BE dhe NATO, ndryshe skenarët tjerë me një administratë Trump që është jashtzakonisht e fuqishme që e ka senatin dhe dhomën e përfaqësuesve në dorë, pothuajse çdo politik që e ka në kokën e tij mund ta shtyej sepse është e pamundshme ta ndalojë dikush brenda SHBA ve e aq më shumë edhe jashtë SHBA ve”, përfundoi Xani për TV Arbëria.

Kurse, nënkryetari i LDK, Lutfi Haziri, po ashtu gjatë një prononcimi për TV Arbëria ka deklaruar se “Rikthimi historik i Donald Trump si president i 47-të, pas një pritje katër vjecare pas rezultatit zgjedhor, e ka ndryshuar Amerikën dhe pritet ndryshimi edhe në rajon e botë. Tani, duhet ta kuptojmë se nuk jemi qendra e botës, ne kemi pasur një vëmendje aktive në kuadër të presidencës Biden, e cila e ka ruajtur prioritetin e tretë në Europë sa i përket krejt zhvillimeve që kanë ndodhur me luftën në Ukrainë dhe në Gaza. Mbetet për t’u parë kush do të jenë të emëruarit e rinj të Presidentit Trump, është tepër me rëndësi Sekretari i Shtetit, Këshilli i Sigurisë Kombëtare, pastaj ndihmës sekretarët, ata që do të jenë në përgjegjësi të plotë në Europën juglindore dhe se sa do të arrijnë që të koordinohen me europianët çështjet e normalizimit të raporteve Kosovë-Serbi, si njëra nga problemet e hapura në Ballkan“, është shprehur ai.

Mirëpo, sipas zyrtarit të LDK-së këtu duhet pasur parasysh, se “Parimi i Bandinterit, përmes të cilit është arritur paqja në katër luftëra në ish-Jugosllavi” e përjashton këtë skenar. Sipas tij konflikti në Slloveni, sikurse edhe tri referendumet që kanë dalë nga ish-Jugosllavia për republika sovrane, ka qenë parimi kryesor i cili është në fuqi edhe sot, e që i ruan kufijtë e brendshëm mbi të cilat është shpërbërë ish; Jugosallavia në shtatë republika sovrane të pranuara edhe ndërkombëtarisht”, ka përfunduar, Haziri për TV Arbëria.

Powered by WordPress