Kryeministër i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se në Kosovë ka potencial të plotë për zhvillimin e mësimit të frëngjishtes, por që mbetet ende i pashfrytëzuar.
Prandaj, ai ka thënë se në pritje të Samitit të ardhshëm të Frankofonisë, i cili do të mbahet në vitin 2026, Kosova synon që të aplikoj sërish për marrjen e statusit me të drejta e plota, dhe në këtë drejtim ai ka theksuar se qeveria dhe komunat e Kosovës duhet të fillojnë punën së bashku për të gjetur një mënyrë për të adresuar mësimin e gjuhës frënge në mbarë vendin.
“Në vendin tim si në tuajin parlamenti simbolizon luftën tonë të përbashkët për të mbrojtur parimet që burojnë nga modeli më i mirë i shoqërisë që ka ekzistuar ndonjëherë, pra demokracia. Më shumë se kaq në Kosovë ky parlament simbolizon një përpjekje të gjatë për liri drejtësi dhe barazi. Mund të tingëlloi e çuditshme të dëgjoni se sot jemi vetëm një çerek shekulli nga çlirimi i Kosovës dhe më pak se 17 vjet nga pavarësia e vendit tonë. Kosova është një vend ku mund të gjenden vlerat rrënjësore që i ndajmë me botën e frankofonisë”, tha Kurti në seancën solemne të hapjes së Sesionit të 36-të të Asamblesë Rajonale të Evropës (ARE) të Asamblesë Parlamentare të Frankofonisë.
Ai vuri në pah se përkundër dëshirës për tu avancuar nga anëtare e asocuar në anëtare të plotë të organizatës ndërkombëtare të frankofonisë, Kosova ende nuk ka mundur t’i përmbush të gjitha detyra e nevojshme për të fituar këtë status.
“Është e kuptueshme që jo gjithçka varet nga vendimet e Kosovës duke pasur parasysh që duhet të ketë edhe disa vlerësime politike që lidhen me kriteret e marrëdhënieve të mira fqinjësorë. Jam i bindur se potenciali i plotë i zhvillimit të mësimit të frëngjishtes në Kosovë mbetet ende i pa shfrytëzuar. Prandaj, në pritje të Samitit të ardhshëm të vitit 2026, ku Kosova synon të aplikoj sërish për marrjen e statusit me të drejta të plota qeveria jonë dhe komunat e Kosovës duhet të fillojnë së bashku për të gjetur një mënyrë për të adresuar mbajtjen e orëve të mësimit të gjuhës frënge në mbarë vendin”, ka thënë ai.
Kurse, Dimal Basha, kryesues i delegacionit të Përhershëm të Kuvendit të Republikës së Kosovës në APF, ka thënë se Kosova do të angazhohet për të mbrojtur dhe promovuar të drejtat e grave.
“Në korrik të vitit 2022 gjatë sesionit të mbajtur në Roanda e gjithë kjo punë u kurorëzua me avancimin e statusit nga anëtar vëzhgues në anëtar të asocuar në AFP. Një moment tjetër i rëndësishëm për Kuvendin ishte edhe nisma për organizmin e seminarit të parë parlamentarë në Prishtinë. Takimi me të mbijetuar të dhunës seksuale gjatë luftës ishte një moment i prekshëm dhe i ndjeshëm i delegacionit që na ka vizituar. Angazhimi ynë për të mbrojtur dhe promovuar të drejta e grave është i pa lëkundur dhe ne do të vazhdojmë që të punojmë për të drejta të barabarta për të gjithë”, ka thënë ai.