Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Kryeministri Kurti emigrimin nga Kosova e ka shpallur si akt patriotik

Kryeministri Kurti emigrimin nga Kosova e ka shpallur si akt patriotik

Shkruan: Shkodran Ramadani
Deklarata e Kryeministrit Kurti se “patriotët dhe punëtorët më të mëdhenj janë në diasporë e jo në Kosovë,” nuk është asgjë më pak se një projekt diabolik për t’i bindur qytetarët se mënyra më e mirë për t’i shërbyer vendit është duke ikur nga ai.
Migrimi gjithmonë ka qenë normal, por jo edhe inkurajimi aktiv i tij. Kryeministri jo vetëm që nuk planifikon ta ndalë atë, por po synon ta bëjë atë imperativ moral e kombëtar. Për të, migrimi sot është i barabartë me bashkimin në radhët e UÇK-së dje.
E para, në rrafshin Taktik-Afatshkurtër, kjo deklaratë është pjesë e përpjekjes së Qeverisë për të amortizuar tkurrjen elektorale. Për të kompenzuar votën e humbur brenda, ai po synon të elektrizojë diasporën dhe të importojë votën e tyre.
Nuk befasohem nese ai e mobilizon edhe makinerinë autoritariste për te manipuluar ligjet që të mundësojë votimin ilegal. Madje do të befasohesha nëse nuk provon diçka të tillë.
E dyta, në terma afat-mesëm, Qeveria ka vendosur të largojë të varfërit dhe jo varfërinë nga Kosova. Madje, mbajtja e varfërisë në Kosovë dhe largimi i të varfërve nga Kosova në fakt është dinamika e nevojshme për ruajtjen e pushtetit.
Kështu ata që ikin nga Kosova e marrin edhe një pjesë të madhe të pakënaqësisë me vete, të cilën më pas, me ndihmën e ideologjisë alkimiste të pushtetit, mund ta shndërrojnë në krenari, madje edhe në hakmarrje kundrejt parazitëve jopatriotë që mbesin mbrapa, e të cilëve para u dërgojnë vetëm nga keqardhja.
Kështu, këto nuk janë thjesht lëvdata për ata që janë jashtë vendit, por edhe përbuzje e të gjithë atyre që kanë mbetur brenda, atyre që me durim e integritet mbajnë barrën e vështirësive të përditshme.
E treta, në rrafshin Strategjik-Afatgjatë, kjo është pjesë e një inxhinieringu djallëzor që largimin nga Kosova e shpallë si aktin më madhor e më patriotik. Ajo që në të kaluarën quhej tragjedi, sot bëhet shprehja më e sinqertë e atdhedashurisë. Duke iu dhënë epitetin e atdhetarëve, Kurti është bërë tuxhari që në këmbim të kapitalit simbolik, mërgimtarëve iu merr kapitalin politik dhe financiar.
Nuk do mend që Kurti po e bën këtë vetëm e vetëm që ata që largohen nga Kosova të mos shkojnë me zemër të thyer e shpirt të helmuar, por me kokën lart, të bindur që mërgimi është gjeja më e mirë që mund të bëjnë për veten, familjen dhe atdheun e tyre.
Sigurisht, qëllimi është që ata që mbeten mbrapa, të jenë të ekspozuar përballë pushetit të tyre agresiv, që sulmon dhe thyen çdo nismë dhe sindikatë që guxon të kërkojë më shumë dinjitet.
Gjithsesi këto nisma e përpjekje janë vetëm me karakter spontan dhe Qeveria nuk ndjehet e rrezikuar nga to.
Më 1968, George W. Ball, diplomat dhe bankier, shkruante se: “Së paku edhe për disa dekada të ardhshme, pakënaqësia e të varfërve nuk kërcënon botën me shkatërrim… fuqia e të varfërve është e kufizuar.”
Siç thotë Eduardo Galeano, “ende është e mundur të veprohet pa u ndëshkuar sepse të varfërit nuk mund të nisin një luftë botërore, por tirani është i shqetësuar: i paaftë që ta begatojë tavolinën e darkës, ai bën gjithçka që mundet për të shtypur darkuesit. Lufto varfërinë, vrit një lypës!”
Ish-presidenti amerikan Lyndon B. Johnson thoshte: “5 dollarë të investuara në kontrollin e popullsisë vlejnë sa 100 dollarë të investuara në rritjen ekonomike.”
Kurti me kabinetin e vet ka zgjedhur saktësisht këtë metodë. Largimi i të varfërve është më i lirë dhe më i lehtë sesa krijimi i shanseve për pasurimin e tyre.
Investimi i tij më i madh kapital e njerëzor i kësaj qeverie që po përdorë varfërinë si armë dhe largimin si zgjidhje është: 200 mijë të ikur dhe 1 milion të varfëruar.
Pritjet e pushtetit janë që 100% e tyre do të kthehen në formë të zarfit, qoftë si para, qoftë si vota.

Powered by WordPress