Zëvendëskryeministri tha se në adresën zyrtare të e-mailit të tij një person i paidentifikuar i kishte shkruar se do të kujdesej që Fetai “të merrte një plumb në kokë”.
Sipas Fetait ky kërcënim lidhet me një deklaratë të tij se do të adresojë çështjen e definimit të gjuhës shqipe në Kushtetutën e vendit.
“Të mërkurën e kaluar unë dhashë një deklaratë. U pyeta nga gazetarët për çështjen kushtetuese si dhe me çështjen e definimit të gjuhës shqipe e cila sot e kësaj dite rezulton të jetë gjuha që flitet më së paku 20% e popullatës dhe që është e ndryshme nga Maqedonishtja. Ne jemi zotuar se në rastin e parë do bëjmë ndryshimet e nevojshme kushtetuese, në kuadër të procesit tonë integrues. Unë thash se do adresojmë edhe çështjen e definimit të gjuhës shqipe në Kushtetutën e vendit. Ka mjaftuar kjo deklaratë që po të njëjtën ditë në e-mailin tim zyrtar të vijë një e-mail kërcënues ku autori, kërcënuesi, në mënyrë ashiqare thotë se do kujdeset që unë të marr një plumb në kokë. Ai bën cilësime të tjera ku thotë se 20% nuk do hiqet asnjëherë nga Kushtetuta. Më pas vazhdon me ato thirrjet tribale që i kemi parë për dy dekada me radhë e ndoshta e më tepër të llojit, “Shqiptari i mirë, është shqiptar i vdekur”. Këto thirrje janë bërë vazhdimisht në Maqedoninë e veriut në publik”,-tha ai.
Zëvendëskryeministri shtoi se rastin e ka paraqitur në organet kompetente, ndërsa theksoi se shpreson që autori të gjendet sa më shpejt e të marr dënimin e merituar, pasi fakti që një Kryeministër kërcënohet tregon se sa e lehtë është që njerëz të thjesht të preken po ashtu nga kërcënime të tilla raciste dhe anti-shqiptare.
“Këtë rast unë e paraqita menjëherë në organet e rendit. Më mori në telefon menjëherë ministri i brendshëm dhe ka filluar procedura në kuadër të drejtorisë për krim kibernetik në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe institucionet janë duke bërë punën e tyre që kërcënuesi të identifikohet. unë dua që të shikojmë këtu një dënim shembullor. Me ligjet tona këto kërcënime me jetë, gjuha e urrejtjes si kjo, dënohen me burg në periudhë nga 6 muaj deri në 5 vite”,-tha Fetai