Në fillim të muajit nëntor, Serbia miratoi ligjet për juridiksionin gjyqësor në Kosovë dhe për ta shpallur Kosovën “zonë të mbrojtjes së veçantë sociale”.
Këto veprime u kritikuan nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, të cilat thanë se ato shkelin qartazi detyrimet e Serbisë nga dialogu me Kosovën për normalizimin e raporteve.
Jeton Zulfaj, këshilltar politik i kryeministrit Albin Kurti, thotë se këto veprime të Serbisë që shkelin marrëveshjen e arritur, duhet dënuar me ashpërsi më të madhe nga BE-ja.
“Çdo veprim i Serbisë i cili shkel marrëveshjen që kemi arritur duhet të dënohet nga të gjithë, edhe nga Bashkimi Evropian. Ajo atje e bën prefekt të brendshëm por assesi nuk mund të ndikoj te sovraniteti i Kosovës. Për neve veçse sa shpërfaqë qasjen e saj agresive dhe shpërfaq po ashtu mohimin që i bën marrëveshjes që kemi arritur”, thotë ai.
Në anën tjetër, sekretarja organizative e PDK-së, Vlora Citaku, thotë për KosovaPress, se Serbia vazhdimisht ka pasur qasje destruktive në dialog. Mirëpo, sipas saj institucionet në Kosovë duhet ta kërkojnë dhe ta duan përfundimin e këtij procesi dialogues me marrëveshje finale, ku përfshihet njohja reciproke.
Pavarësisht kësaj, ajo shton se zgjedhjet në Kosovë dhe rrethanat ndërkombëtare, dëshmojnë se ngërçi në dialog do të vazhdojë.
“Dialogun dhe marrëveshjen finale me Serbinë nuk mund ta duan më shumë ndërmjetësit seç duhet të kërkonim ne…Tash jemi në fazë zgjedhore dhe institucionet evropiane nuk janë konsoliduar ende. Administrata e re në ShBA e merr detyrën, inaugurimi është në janar. Ndërkohë është një proces që zgjatë i konfirmimit të sekretarëve apo bartëseve të dikastereve të ndryshme”, thekson Çitaku.
Ndërkaq, sipas analistit politik, Arbnor Sadiku, miratimi i ligjeve për Kosovën nga ana e Serbisë e bën dialogun shumë destruktiv.
“ Kjo është një destruktivitet i radhës i qeverisë së Serbisë që ata nuk janë të gatshëm të implementojnë marrëveshjen e Brukselit dhe aneksin e Ohrit. Kjo e vendosë në një pozitë të pafavorshme vet unionin evropian në këto negociata. Natyrisht e bënë palën kosovare të jetë destruktive si pala serbe, për faktin se ata qysh në start me këto provokime, futjen në legjislacion dhe kushtetutën e Serbisë e bëjnë dialogun shumë destruktiv”, tha ai.
Kosova dhe Serbia kanë arritur pajtueshmëri për normalizim marrëdhëniesh në shkurt të vitit të kaluar, derisa në mars të po atij viti për aneksin e zbatimit të saj, por deri më tani kjo marrëveshje nuk ka gjetur zbatim.