09:38 New York
Dark Light

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Haxhiu dhe Balje kërkojnë të mos ketë asnjë tolerancë për dhunuesit seksual të grave

Haxhiu dhe Balje kërkojnë të mos ketë asnjë tolerancë për dhunuesit seksual të grave

Numri i rasteve të raportuara të dhunës seksuale ndaj grave është rritur gjatë viteve të fundit në Kosovë.

Këtë e pohojnë nga Ministria e Drejtësisë dhe Komisioni për të Drejtat e Njeriut, duke apeluar te gratë që rastet e dhunës seksuale të lajmërohen menjëherë dhe të trajtohen.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, për Ekonomia Online, ka deklaruar se krahas adresimeve të dhunës në familje, ndryshme janë bërë edhe në rastet e dhunimeve seksuale.

“Krahas adresimit të dhunës në familje ne kemi bërë ndryshime në raport me rastet e dhunimeve seksuale. Me ndryshimet që kemi bërë në Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale, tashmë personat që shpallen fajtor për dhunë në familje apo dhunë seksuale, me vendim të gjykatës gjegjësisht me një dënim tjetër plotësues krahas kryesor, shqipton edhe dënimet për ndalim të punësimit në institucionet e Republikës së Kosovës dhe ndalohet që të përfitojnë edhe në disa aspekte të tjera”, ka deklaruar Haxhiu.

Haxhiu u shpreh se nuk duhet të neglizhohet asnjë rast i dhunës seksuale.

“Ne kemi miratuar protokollin për herë të parë që del nga Konventa e Stambollit, protokollin për trajtimet e rasteve të dhunimeve seksuale. Ajo çfarë besoj dhe është jashtëzakonisht e rëndësishme, është se secili institucion në Republikën e Kosovës ta bëjë punën që e ka në përgjithësi. Në këtë kuptim nuk duhet të neglizhojmë rastet e dhunës seksuale”, tha Haxhiu.

Për rastet e dhunës në familje, ministrja Haxhiu theksoi se në vazhdimësi informohen dhe trajtohen nga ana e institucioneve të drejtësisë.

“Ne i trajtojmë këto raste në vazhdimësi, marrim informacione në vazhdimësi se si po trajtohet këto raste, por duhet të theksuar se është jashtëzakonisht e rëndësishme që veprimet apo vendimet nga ana e institucioneve të drejtësisë të jenë edhe profesionale edhe të ashpra. Sigurisht që besoj që në rast që kemi përgjegjësi institucionale në raport me këto raste, do ta arrijmë që të minimizojmë këto raste sepse përbëjnë shqetësim serioz për shoqërinë tonë”, ka thënë ajo.

Kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione, Duda Balje ka potencuar se këto raste janë shumë shqetësuese dhe nuk ka asnjë tolerancë për dhunuesit.

Balje ka theksuar se për dhunuesit duhet të merret vendim më radikal nga sistemi gjyqësor, në mënyrë që të luftohet e keqja.

“Këto raste me vajza 9 vjeçare dhe 14 vjeçare të cilët kanë ndodhur kohëve të fundit është shumë shqetësuese. Sa jemi duke luftuar kundër dhunës çdo rast si surprizë për neve. Nuk e besoj që mundemi me fol për asnjë tolerancë, unë e konsiderojë që është sëmundje sepse janë të gjitha vajza nën moshë dhe dhunuesit kanë qenë shumë më të rritur. Personalisht kam qenë me emocion, besoj që Policia e Kosovës edhe sistemi gjyqësor do të marrë vendimin e duhur, jo vetëm të jetë i duhur për mua duhet të jenë më radikal për të dhënë mesazh që secili dhunues që është duke tentuar apo të mendoj të bëjë diçka me pas frikën e shtetit. Sepse ne me të vërtetë kemi shtet dhe secili prej neve po dëshiron të luftojë të keqen”, ka potencuar Balje.

Tutje, ajo shtoi se për të parandaluar raste të tilla, duhet të punohet shumë dhe të promovohen të drejtat e vajzave dhe grave.

“Ne duhet të punojmë shumë për promovimin e të drejtave që kanë vajzat, duhet të punojmë shumë në shkolla dhe për të njoftuar se çka është dhuna, sepse ka raste që nuk e ka ditur se çka është dhuna dhe ndoshta e ka kaluar në heshtje, ndoshta nuk kanë pasur përkrahjen e familjes dhe kanë frikë të flasin për të, po ashtu janë edhe reagimi i shtetit i shoqërisë, të gjitha këto fakte ndikojnë.”, shtoi ajo.

“Lajmërimi i dhunës duhet me qenë menjëherë, nuk ka asnjë tolerancë për dhunuesin”, kështu u deklaruar Balje.

“Për dhunuesin nuk kam asnjë mendim, nuk ka asnjë hapësirë për asnjë tolerancë. Sistemi gjyqësor dhe policor mendoj që është në gjendje me shkuar deri në fund, dhe më dhënë një mesazh të fortë për të gjithë dhunuesit që ekzistojnë”, përfundoi Balje.

Powered by WordPress