Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > 21 inspektorë për 23 mijë mësues

21 inspektorë për 23 mijë mësues

Performanca e punës së mësimdhënësve në Kosovë është në duart e një numri të pamjaftueshëm të inspektorëve.

Një gjë e tillë është evidentuar në raportin e progresit të punuar nga Komisioni Evropian.

21 inspektorë aktualisht duhet të vlerësojnë mbi 23 mijë profesionistë të arsimit.

Ky numër i vogël sipas këtij raporti ndikon edhe në cilësinë në arsim.

“Aktualisht janë rreth 21 inspektorë arsimor me ekspertizë në vlerësimin pedagogjik, i cili është i pamjaftueshëm për të kryer vlerësimin e performancës së mbi 23 000 mësuesve, përveç roleve dhe përgjegjësive të tjera. Ky është një faktor kyç që kontribuon në vonesat në zbatimin e mekanizmave të sigurimit të cilësisë, duke minuar rrjedhimisht zbatimin efektiv të politikave/reformave të tjera”, thuhet nga Raporti i Komisionit Evropian.

Sipas ekspertit të arsimit, Argjend Osmani, Ministria e Arsimit ka zvarritur procesin e rekrutimit të inspektorëve të rinj.

“Ka pasur tentativa dhe përpjekje që kjo të përmirësohet me rekrutimin e personalit shtesë në kuadër të inspektoratit por ato në një forme apo të tjetrën janë zvarritur. Mendoj që duhet të merren hapa të shpejt dhe konkret sa më shpejtë që ky proces i rekrutimit të jetë efikas dhe të kemi numër të mjaftueshëm të cilët do të kontribuonin në menaxhimin e cilësisë në sistemin arsimor”, tha Osmani.

Por sipas drejtorit të Instituti Ed Guard, Rinor Qehaja duhet të ndryshohen detyrat dhe përgjegjësitë e inspektorëve në vend.

“Numri i inspektorëve pa dyshim që është i vogël, por edhe nëse ky numër dyfishohet ose trefishohet është në disproporcion të madh për numrin e mësimdhënësve dhe mbi të gjithë përgjegjësit që kanë inspektorët për mbikëqyrjen llogaridhënies, brenda sistemit arsimor. Ajo çka është me rëndësi është të rikonceptohet modeli i përgjegjësive dhe detyrave të inspektorëve në mënyrë që veçanërisht sa i përket vlerësimit të përformancës së mësimdhënësve përgjegjësia t’i bartet institucionit arsimor të shkollës ndërsa në mbikëqyrje dhe përkrahje për shkollën të jenë inspektorët”, tha Rinor Qehaja.

Në muajin prill të këtij viti, Ministria e Arsimit kishte hapur konkurs për punësimin e 33 inspektorëve.

Powered by WordPress