Ditën kur nisi pushtimi ushtarak i Ukrainës nga ana e Rusisë, më 24 shkurt 2022, Kosova vendosi të mbyllë rrugët ilegale në kufij kryesisht me Serbinë, e në radhë të parë në Leposaviq.
Qysh atëherë janë marr edhe vendime të tjera për të ndaluar kontrabandën që kryhet shteti fqinj verior me armë, mallra e njerëz.
Patrullimet në këtë anë të vendit u shtuan ekskluzivisht pas aktit të agresionit në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator 2023, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku nga grupi terrorist serb.
Nga ajo ditë e deri tani, në brezin kufitar të veriut, bënë patrullime të shpeshta edhe KFOR-i.
Përkundër gjithë këtij angazhimi kah ana kosovare, në atë të Serbisë nuk shihet kësi përkushtimi për të penguar dhe luftuar kontrabandën e çfarëdo lloj krimi, apo kalimi ilegal të kufirit.
Për këtë, ky shtet mori një nga vërejtjet më serioze nga Bashkimi Evropian nëpërmjet Raportit të Progresit.
Brukseli i tha Beogradit të bëjë përpjekje të shtuara për t’i mbyllur rrugët ilegale, si dhe ato anësore, në mënyrë që të sigurojë kalimin e detyrueshëm të njerëzve dhe mallrave nëpër pikat kalimtare zyrtare.
Zyrtarët e lartë në Beograd kanë thënë se i kanë kuptuar porositë e BE-së, por shtuan se ato janë të ashpra, e në disa edhe nuk pajtohen.
Por në rast se Serbia nuk e dëgjon BE-në, atëherë sipas eurodeputetit nga Holanda, Thijs Reuten ky shtet duhet t’i ndjejë veprimet konkrete nga unioni 27 anëtarësh në raport të ruajtjes së kufirit me Kosovën.