Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Bota > Hezbollahu kërkon paqe, WSJ: Trump do rrisë sanksionet kundër Iranit

Hezbollahu kërkon paqe, WSJ: Trump do rrisë sanksionet kundër Iranit

Irani pritet të jetë një pikë intensive diplomatike për Presidentin e ri të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump. Sipas medias amerikane “Wall Street Journal”, Donald Trump, planifikon të rrisë në mënyrë dramatike sanksionet kundër Iranit pas kthimit të tij në Shtëpinë e Bardhë.

Sipas raportit dhe burime për median amerikane, Trump do të fokusohet kryesisht në industrinë e naftës të Iranit, duke synuar të forcojë sanksionet që ai vetë i ka miratuar midis 2016 dhe 2020 dhe do të marrë masa të bashkërenduara për të izoluar Teheranin “si diplomatikisht ashtu edhe financiarisht”.

Shpeshherë në planet e administratës së re amerikane është diskutuar edhe alternativa e ndalimit të luftimeve midis Hezbollahut dhe Izraelit. Organizata militante e mbështetur nga Irani ka mirëpritur çdo përpjekje për të ndalur luftën në Liban, por nuk ka shpresa për një armëpushim edhe me administratën e re. Kështu ka bërë të ditur ligjvënësi i Hezbollahut, Ibrahim al-Moussawi, kur u pyet për fitoren e zgjedhjeve të Donald Trump.

“Mund të jetë një ndryshim në partinë që është në pushtet, por kur bëhet fjalë për Izraelin, ata kanë pak a shumë të njëjtën politikë”, tha Moussawi për Reuters.

“Ne duam të shohim veprime, duam të shohim vendime konkrete”, shtoi ai.

Përpjekjet diplomatike të SHBA-së për të ndalur luftimet midis Izraelit dhe Hezbollahut, të cilat përfshinin një propozim armëpushimi 60-ditor, dështuan javën e kaluar përpara zgjedhjeve amerikane të martën, në të cilat ish-presidenti Trump rimori Shtëpinë e Bardhë.

Sakaq, Zyra e OKB-së për të Drejtat e Njeriut me anë të një raporti ka bërë të ditur se gati 70% e viktimave që ka verifikuar në luftën e Gazës ishin gra dhe fëmijë dhe dënoi atë që e quajti një shkelje sistematike të parimeve themelore të së drejtës ndërkombëtare humanitare. 8 119 viktimat e verifikuara është një numër shumë më i ulët se numri prej mbi 43 000 i ofruar nga autoritetet shëndetësore palestineze për luftën 13-mujore. Por, ndarja e OKB-së për moshën dhe gjininë e viktimave mbështet pohimin palestinez se gratë dhe fëmijët përfaqësojnë një pjesë të madhe të të vrarëve në luftë. Ky zbulim tregon “një shkelje sistematike të parimeve themelore të së drejtës ndërkombëtare humanitare, duke përfshirë dallimin dhe proporcionalitetin”, tha zyra e OKB-së për të drejtat në një deklaratë që shoqëronte raportin prej 32 faqesh.

Powered by WordPress