Në vitin 2019 kishte filluar një nismë rajonale ndërmjet Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë e quajtur “mini-shengeni” ballkanik ose Ballkani i Hapur. Qëllimi i saj ishte intensifikimi i mallrave, kapitalit dhe lëvizjes së njerëzve. Ndër kritikat kryesore, sidomos nga Kosova ishte se si e tillë ajo i shërben interesave ekonomike të Serbisë dhe po ashtu tenton ta relativizojë rolin e Procesit të Berlinit. Ndaj “Ballkanit të Hapur” përpos Kurtit një qëndrim kritik ndaj kësaj nisme kishin mbajtur partitë opozitare, shkruan TV Arbëria.
Mirëpo, me marrëveshjen e Uashingtonit të nënshkruar nga ish – kryeministri Hoti dhe ish – presidenti Trump në Shtëpinë e Bardhë me 4 shtator të vitit 2020, Kosovës i kërkohet që të bëhet pjesë e “zonës së mini-Schengenti” dhe t’i shfrytëzojë plotësisht përfitimet nga ajo.
Lidhur me këtë çështje, deputeti i AAK-së Pal Lekaj, në një prononcim për TV Arbëria deklaroi se me rikthimin e Trump në Shtëpinë e Bardhë, ka mundësi që nisma e Ballkanit të Hapur të marrë sërish vëmendje.
Ai thotë se Trump dhe ekipi i tij e konsideruan nismën si një mënyrë për të reduktuar tensionet mes shteteve ballkanike.
“Me rikthikmin e Trump në Shtëpinë e Bardhë, ka mundësi që nisma e Ballkanit të Hapur të marrë sërish vëmendje, sepse ai ka shfaqur interes për këtë projekt gjatë administratës së tij të mëparshme. Trump dhe ekipi i tij e konsideruan nismën si një mënyrë për të promovuar stabilitetin ekonomik në rajon dhe për të reduktuar tensionet mes shteteve ballkanike”, është shprehur ai.
Sipas tij, ky përqendrimi në Ballkanin e Hapur mund të ndeshet me më shumë kritika, sidomos tani që Procesi i Berlinit është fuqizuar.
“Megjithatë, ky përqendrim në Ballkanin e Hapur mund të ndeshet me më shumë kritika, sidomos tani që Procesi i Berlinit është fuqizuar dhe shumica e shteteve të Ballkanit Perëndimor kanë arritur marrëveshje për bashkëpunim rajonal brenda këtij kuadri”, tha ai.
Mes tjerash, deputeti i AAK-së tha se Kosova ka pasur gjithmonë rezerva për Ballkanin e Hapur, për shkak të frikës se nisma mund të favorizojë interesat ekonomike të Serbisë.
“Qëndrimi i Kosovës: Kosova ka pasur gjithmonë rezerva për Ballkanin e Hapur, për shkak të frikës se nisma mund të favorizojë interesat ekonomike të Serbisë dhe të zbehë rolin e Kosovës në rajon”, theksoi Lekaj.
Tutje, ai konstaton se duke qenë pjesë e Procesit të Berlinit, me marrëveshje për një treg të përbashkët rajonal të nënshkruara, Kosova ka një arsye të fortë për të ruajtur besnikërinë ndaj këtij procesi evropian.
Ndër tjera, Lekaj deklaroi se në vend që të hyjë në Ballkanin e Hapur Kosova mund të vazhdojë të angazhohet për një integrim më të ngushtë përmes Procesit të Berlinit i cili i shërben më mirë perspektivës së saj për integrimin në BE.
“Duke qenë tashmë pjesë e Procesit të Berlinit dhe me marrëveshjet për një treg të përbashkët rajonal të nënshkruara, Kosova ka një arsye të fortë për të ruajtur besnikërinë ndaj këtij procesi evropian. Në vend që të hyjë në Ballkanin e Hapur, Kosova mund të vazhdojë të angazhohet për një integrim më të ngushtë përmes Procesit të Berlinit, i cili gëzon përkrahje më të gjerë dhe i shërben më mirë perspektivës së saj për integrimin në Bashkimin Evropian”, përfundoi Lekaj për TV Arbëria.