Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > KQZ njofton se rreth 940 qendra votimi do të jenë në dispozicion për zgjedhjet e 9 shkurtit

KQZ njofton se rreth 940 qendra votimi do të jenë në dispozicion për zgjedhjet e 9 shkurtit

Në ditën e zgjedhjeve në gjithë territorin e Kosovës do të jenë të hapura rreth 940 Qendra Votimi. Kështu ka vendosur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në takimin që mbajti sot. Ndërkohë, 38 prej tyre do të shërbejnë vetëm për votimin me kusht, në secilën komunë nga një.

 

Ndërkohë, është duke vazhduar periudha për ndërrimin e Qendrës së Votimit brenda komunës, e cila ka filluar më 29 gusht dhe do të përfundojë më 26 dhjetor 2024. Në bazë të të dhënave, deri më 7 nëntor janë pranuar 1,524 kërkesa për ndërrimin e Qendrës së Votimit nëpërmjet platformës e në zyrat e Komisioneve Komunale prej të cilave janë aprovuar 1,482 derisa 42 të tjera janë refuzuar.

 

Gjithashtu po vazhdon periudha e aplikimit për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës, e cila ka filluar më 29 gusht dhe do të përfundojë më 26 dhjetor.

Sipas të dhënave të bëra publike në këtë mbledhje deri më 7 nëntor janë pranuar rreth 14,030 kërkesa për regjistrim, prej të cilave janë aprovuar 13,033, ndërsa 988 të tjera janë refuzuar.

Në shumicën e rasteve të refuzuara, aplikuesit nuk janë fotografuar duke mbajtur njëkohësisht në dorë dokumentin e identifikimit.

Po ashtu, KQZ-ja vendosi për regjistrimin e partisë politike Bashkimi Demokratik me akronim BD, i cili aplikacion ishte dorëzuar më 18 tetor, derisa udhëheqës i saj është Ajvaz Berisha.

 

 

Powered by WordPress