Shkruan: Afrim Kasolli
Është e natyrshme që sa herë që ndërrohen presidentët amerikanë të shtrohen dilemat, pritjet dhe shqetësimet, se cili mund të jetë pozicioni i tij në politikën e jashtme, çfarë qëndrimi do të mbajë në raport me krizat në vende të ndryshme të botës etj.
Mirëpo, nëse veçanërisht pas Luftës së Dytë Botërore, pavarësisht se cila parti, si ajo Republikane apo Demokratike, e drejtonte Shtëpinë e Bardhë, dominonte një konsensus bipartizan sa i përket kultivimit dhe forcimit të lidhjeve trans-atlantike, etablimit të një rendi ndërkombëtar liberal politik dhe ekonomik, krijimit të parametrave të një tregu global, si dhe sigurimit të demokracisë, e njëjta gjë nuk mund të thuhet me presidentin e 47 të SHBA-ve, Donald Trump.
Tashmë nën udhëheqjen e tij, superfuqia planetare do të marr një drejtim krejt tjetër. Ka premtuar se do t’i ndal të gjitha luftërat më të ulur në karrigen më të pushtetshme në botë, sikur se atë në Ukrainë dhe Lindje të Mesme, por pa e bërë të ditur me specifikisht se si do ta arrijë këtë objektiv. Kurse kandidati i tij për zëvendës president, JD Vance, ka propozuar që Ukraina duhet të pajtohet me humbjen e 20 për qind të territorit të pushtuar nga ushtria ruse si dhe të heq dorë nga ambiciet për t’u bërë pjesë e NATO-së.
Se do të mund të shndërrohet në garantues të paqes botërore, Donald Trump, ka përmendur faktin se si gjatë mandatit të tij të parë presidencial nuk kishte shpërthyer asnjë luftë. Pushtimi i Krimesë nga Putini kishte ndodhur në kohën e administratës Obama, apo Irani të merrte guximin ta sulmonte Izraelin. Ndërkohë, vetëm me ardhjen në pushtet të Bidenit, Rusia u trimërua për sulmin e shkallës së gjerë mbi Ukrainën. Po ashtu, në Lindje të Mesme ai ishte angazhuar për t’i hapur rrugë pajtimit të shteteve arabe me Izraelin nëpërmjet Marrëveshjeve Abrahamike, ndonëse këto akorde e kishin neglizhuar çështjen palestineze, e cila është dëshmuar se moszgjidhja e saj mbetet një nga burimet kryesore të tensioneve në atë rajon.
Sidoqoftë, në funksion të premtimit për ta bërë Amerikën edhe një herë të fuqishme, Donald Trump, ka premtuar inicimin e një lufte tjetër globale, atë tregtare, si pjesë e strategjisë për t’i ruajtur vendet e punës dhe ringjalljen ekonomike të vendit, si dhe do të ndërmarr veprime rigoroze kundër imigracionit. Në këtë drejtim, është zotuar se do të imponojë tarifa ndaj mallrave kineze deri në 60 %, por edhe atyre evropiane, deri në 10 e 20 për qind.
Këto masa kanë alarmuar veçanërisht shtete si Gjermania, për të cilën SHBA mbetet partneri kryesor tregtar dhe e cila po kalon nëpër një situatë turbulente ekonomike. Është kjo një revoltë politike amerikane kundër vetë botës që ky shtet e ka promovuar. Sepse deri më tani besimi kryesor doktrinar amerikan ka qenë se sa integrimi i shteteve të ndryshme edhe nëse kanë natyre autokratike në një rend ndërkombëta liberal ekonomik do të ndikonte në daljen e tyre nga varfëria dhe do t’i bënte që t’i përqafonin edhe vlerat liberale politike. Si shembull përmendet Kina. Mirëpo, kjo e fundit i shfrytëzoi benifitet e rendit ekonomik të garantuar nga SHBA-të, por pa në kundërshtim me modelin e saj politik. Madje, tash duke i prirë përpjekjeve për një revizionim gjeopolitik duke kërkuar një hise më të madhe në të sipas modelit të saj. Si dhe duke vërshuar edhe tregun amerikan me prodhimet e saj. Në këtë drejtim kufizimi i potencialeve të këtij shteti është shtruar si imperativ strategjik për Uashingtonin.
Ndërkohë, Donald Trump, pritet që të ushtrojë presion ndaj shteteve të BE-së që ta bëjnë të njëjtën gjë ndaj Kinës. E këto të fundit do të ndodhen në njërën anë ndërmjet kërcënimit të SHBA-ve dhe tarifave të reja po ashtu mbi mallrat e tyre, si dhe nevojës për ta mirëmbajtur ritmin e tyre ekonomik, ku nuk do kishin alternativë tjetër, pos vazhdimit të bashkëpunimit tregtar me Kinën. Pra thjesht ato do të ndodhen në një situatë pa shtegdalje, sidomos kur marrim parasysh edhe faktin se SHBA vazhdon të mbetet ende garantuesi kryesor i sigurisë së tyre. Kurse, në anën tjetër Kina kërcënues i dyfishtë, sepse edhe lufta e Rusisë në Ukrainë nuk do të kishte zgjatur kaq shumë edhe pa mbështetjen e Pekinit.
Se çfarë do të jenë raportet ndërmjet dy anëve të atlantikut e simpomatikisht e dëshmon edhe gjuha e miliarderit Elon Musk ndaj kancelarit të Gjermanisë Olaf Scholz, duke e deklaruar se “Oalf është një budalla”. Kjo luftë e re tregtare e tregtare proteksoniste e iniciuar nga Donald Trump, si ndaj vendeve armiqësore, po ashtu edhe ndaj vendeve partnere të saj, pashmangshëm se do të ketë implikime në raportet transatlantike. Pra me largimin e Joe Biden-it nga detyra më 20 janar të vitit 2025, zyrtarisht edhe merr fund modeli i presidentëve amerikanë të pas së Luftës së Dytë Botërore.
Me anë të qasjes së tij transaksionale, Donald Trump do të jetë shpërfillës ndaj mekanizmave multilalteral. Analistë të ndryshëm kanë vënë në pah se kjo administratë më shumë do të fokusohet të raportet bilaterale me shtete të veçanta se sa do të preferojë të bashkërëndohet me Brukselin.
Kështu, kjo përçarje e re e Perëndimit merr peshë specifike për rastin e Kosovës. Shteti ynë gjendet në një proces të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian, si edhe është pajtuar për zbatimin e Marrëveshjeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Dhe ky proces është mbështetur pa rezervë edhe nga Uashingtoni gjate këtyre katër viteve. Mirëpo, është gabim strategjik të mendohet se Presidenti Trump nuk do të tentojë ta inicioi një proces tjetër paralel të dialogut siç kishte bërë në shtator të vitit 2020, më marrëveshjen për normalizimin ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Prandaj, është imperativ që të mendohet se si duhet të navigohet në këtë situatë. Kosova nuk e ka luksin të vajtojë për rolin e dobësuar të Brukselit, por të orientohet drejtë dhe saktë në një botë që krejtësisht të ndryshme nga ajo që po perëndon. Me presidentin Trump gjithçka është e mundur. Si fitorja ashtu edhe humbja. Shpresa se tashmë mund të shpëtojmë nga presioni amerikan duke u strehuar te vende si Gjermania do te jetë e kotë. Ngase kësaj të fundit do t’i duhet të mbrohet për vete.
Në këtë kontekst mos operimi drejt në raport me antagonizmat e reja që po fermentohen do të mund te ketë pasoja serioze. Sepse mund ta humbin si mbështetjen amerikane, po pa e kompensuar me atë evropiane.