Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kulturë-Histori > Promovohet libri “Triumfi i mendjes” i autorit Xhemail Mustafa me esetë, shkrimet kritike dhe publicistike

Promovohet libri “Triumfi i mendjes” i autorit Xhemail Mustafa me esetë, shkrimet kritike dhe publicistike

Në Bibliotekën “Hivzi Sulejmani” të Prishtinës, në praninë e numrit të madh të pjesëmarrësve, shkrimtarëve, gazetarëve, studentëve, pastaj përfaqësuesve të institucioneve kulturore, arsimore, shkencore, si dhe të familjarëve të autorit, u bë promovimi i librit “Triumfi i mendjes”, i autorit Xhemail Mustafa.

Esetë, shkrimet kritike dhe publicistike të Xhemail Mustafës, të botuara në vitet e nëntëdhjeta në gazetën “Rilindja” dhe “Bujku”, në Prishtinë, Tiranë dhe Zvicër, janë zgjedhur dhe përgatitur për botim nga shkrimtari Ibrahim Berisha, ndërsa botues i librit “Triumfi i mendjes” është PEN Qendra e Kosovës.

Në fillim të promovimit shkrimtari Sali Bashota i cili e moderoi këtë aktivitet, bëri një portretizim të shkurtër Xhemail Mustafës, duke e vlerësuar veprimtarinë e tij në shumë fusha, në radhë të parë, si kritik letrar, publicist, këshilltar i presidentit Rugova etj. Me këtë rast, Bashota nderuar kujtimin për Xhemail Mustafën për të gjithë të pranishmit, përmendi veprën “Lutja e Prishtinës” dhe, ndër të tjera tha, se “është një ditar i dhembshëm poetik, i sajuar me mendime të veçanta që e përcakton në mënyrë të ndjeshme thelbin fillimtar të bërjes së lirisë dhe procesin përfundimtar të zhbërjes së robërisë”.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Përparim Rama, kryetar i Prishtinës duke vlerësuar kontributin e Xhemail Mustafës për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, ndër të tjera, tha: “se sot jemi mbledhur për të nderuar kujtimin e Xhemail Mustafës, një intelektuali të jashtëzakonshëm, jeta dhe puna e të cilit janë gjurmë të pashlyeshme në historinë e Kosovës”. Më tutje, i pari i kryeqytetit të Prishtinës, konstatoi: “Xhemail Mustafa ishte jo vetëm gazetar, por edhe këshilltar politik i përkushtuar dhe avokat i vendosur për rezistencën paqësore. Rruga e Xhemail Mustafës ishte rrugë e përkushtimit të palëkundshëm ndaj parimeve të demokracisë dhe lirisë. Si këshilltar i lartë i presidentit Ibrahim Rugova për medie dhe anëtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Mustafa luajti rol kyç në formësimin e mesazhit politik të Kosovës gjatë një kohë të trazirave dhe të ndryshimeve të mëdha. Përkushtimi i tij ndaj kundërshtimit paqësor ishte i dukshëm në shkrimet e deklarata e tij publike ku ai vazhdimisht e dënonte dhunën kriminale që e pllakosi Kosovën”.

Duke evokuar shumë kujtime me Xhemail Mustafën që nga periudha e shkollimit në gjimnazin e Podujevës, pastaj në angazhimin e përbashkët të veprimit politik, Fatmir Sejdiu ish-president i Republikës së Kosovës, foli për personalitetin e Xhemail Mustafës. Më tutje, Fatmir Sejdiu, u përqendrua në përmbajtjen e eseve të Xhemail Mustafës për t’i evidentuar temat më të rëndësishme që janë trajtuar në shkrimet e përmbledhura në librin “Triumfi i mendjes”, si: Kosova, Shqipëria, Çamëria, pastaj shkrimet për Fishtën, Koliqin, Camajn, Rugovën, Demaçin, Kadarenë, Pashkun. Xhaferrin etj., për demonstratat e viteve 68 dhe 81, për gazetën “Rilindja” dhe gazetat e revistat e tjera në gjuhën shqipe, shkrimet për Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare etj.

Presidenti Sejdiu citoi edhe disa pjesë nga libri i Mustafës, për të argumentuar fuqinë e fjalës dhe të mendimit të një intelektuali të veçantë.

Në fjalën e tij, shkrimtari Ibrahim Berisha, i cili ka përzgjedhur dhe përgatitur shkrimet e librit të Xhemail Mustafës me titullin “Triumfi i mendjes”, tha: “Po të shkruash për Xhemën, kurdo që do të shkruash, duhet të fillosh nga urtësia e tij fisnike, dituria paqësore, modestia publike, ideali i tij përhershëm: liria. Edhe kurdo që kalon kah “Elida”, mendon se e ke përpara, duke pirë ekspreso dhe, duke shfletuar gazetë a libër. Qetë e vëmendshëm. Gjithmonë me disponim dhe rrallë vetëm. E kishte vështirë të qëndronte vetëm, sepse të gjithë ne, miqtë e shumtë të tij, donim të uleshin e të pinin kafe me të. Ai kishte miqësi dhe vëmendje për secilin”.

Duke ofruar mjaft shembuj nga jeta dhe veprimtaria intelektuale e krijuese të Xhemail Mustafës, Berisha, tha: “Pjesa më e madhe e shkrimeve të Xhemës kanë qenë të lidhura me dijen, me kulturën, artet, librin veçmas. Ai ishte recensionist në “Rilindje”. Të shtunave, lexuesi, dashamiri dhe kureshtari i librit të ri, e priste cili do të jetë ai botim që ia vlen të lexohet.  Gjente arsyen pse duhej lexuar (…) Xhema ishte një udhëtar që nuk kthente kokën mbas. Në librin “Një lutje për Prishtinën”, shkruan për udhëtimin dramatik për t’u kthyer në banesën e tij të porsaliruar “… kurse unë po i ngjisja shkallët për në banesë. Po ato shkallë që po i ngjitja para aq kohësh me shumë ankth e pasiguri dhe që më dukej se po më çonin në një errësirë…Shkallët po i ngjisja pa e hetuar se isha përballë apartamentit, ndërsa njerëzit që i takoja përshëndetnin me një përzemërsi, të cilën nuk e kisha provuar ndonjëherë…”.

Pastaj Berisha përmendi edhe shumë ese të Xhemail Mustafës që edhe sot janë aktuale me idetë dhe përmbajtjen e tyre, duke shtuar: “Ai, e vërteta, udhëtoi deri te liria, mbijetoi luftën në dashurinë e qytetit të tij dhe që nuk e la asnjëherë të vetëm. Prandaj, Atdheu duhet edhe kur të vret, shkruan ai referuar Kutelit, në njërin nga esetë katër vjet, para se të vritej (…) Ne që e kemi pasur mik, që kemi punuar bashkë, sikur edhe gjithë lexuesit, Xhemën e kanë njohur dhe e mbajnë mend përgjithnjë si një intelektual kritik që nuk ndikohej nga konjukturat…”

Në fund të fjalës së tij, Berisha tha: “Botimi i veprës së plotë të Xhemail Mustafës, në format kompleti, shpresojmë të bëhet në vitin e ardhshëm, 2025. Nuk dua të them pikërisht në 25 – vjetorin e vrasjes që mbeti, mbase qëllimshëm, e pandriçuar”.

Në përmbyllje të promovimit të librit “Triumfi i mendjes, vajza e Xhemail Mustafës, Beriana Mustafa, tha: “Është emocionale gjithmonë kur përmes fjalëve e njeh dhe rinjeh prindin, ndonëse shkuarja e tij në amshim ishte koha kur të nevojitej më së shumti. Në kohën kur mendon që janë përmbysur vlerat, rendi i vlerave të një shoqërie siç ka ndodhe kjo jona.Të mirat e zhgënjimit që t’i ofron ky vend, del një njeri si axha Ibrahim, të cilin e falënderoj shumë edhe të tregon dhe shpalos para krejt neve një mori të shkrimeve, por jo një mori të shkrimeve të thjeshta, shkrime letrare, sociale, kulturore jo veç të Xhemës, por të një plejade të tërë të këtyre njerëzve si Avni Spahiu, Ibrahim Berisha, Fatmir Sejdiu, profesor Bashota e shumë të tjerëve, çfarë trashëgimie kanë lënë ata sot për neve dhe të bëjnë me menduar se ne çka po lëmë për gjeneratat e reja”.

Pjesë të zgjedhura nga libri “Triumfi i mendjes”, për Prishtinën, Shkodrën, gazetën “Rilindja, shkollën shqipe në vitet e nëntëdhjeta në Kosovë, lexuan Lorenta Ibraj, Blinera Hajdari dhe Festina Krasniqi, studente të Degës së Letërsisë Shqipe të Fakultetit të Filologjisë në Prishtinë./ KultPlus.com

Themes by WordPress