Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > AAK: Miratimi i Planit Hapësinor – Detyrë Urgjente

AAK: Miratimi i Planit Hapësinor – Detyrë Urgjente

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka kritikuar sot vonesën në miratimin e Planit Hapësinor dhe Hartës Zonale të Kosovës, duke theksuar se mungesa e këtyre dokumenteve po pengon zhvillimin e qëndrueshëm të vendit dhe veçanërisht sektorin e turizmit malor.

“Mungesa e Planit Hapësinor dhe Hartës Zonale po shkakton zhvillim të paorganizuar, dëmtim të mjedisit dhe kufizim të investimeve strategjike,” thuhet në deklaratën e AAK-së. Sipas subjektit politik, komunat dhe investitorët po përballen me vështirësi të mëdha në vendimmarrje dhe në procesin e dhënies së lejeve të ndërtimit.

Partia opozitare thekson se miratimi i këtyre dokumenteve do të mundësonte zhvillimin e integruar të turizmit malor, duke identifikuar zonat me potencial të lartë turistik dhe duke ofruar siguri për investitorët.

“Një qeveri e ardhshme e Aleancës do të angazhohet në thjeshtësimin e procedurave për lejet ndërtimore dhe hartimin e një ligji të posaçëm për zonat turistike malore,” shprehet AAK, duke shtuar se do të aplikohen politika fiskale stimuluese për investitorët që përmbushin standardet e zhvillimit të qëndrueshëm.

AAK paralajmëron se situata aktuale rrezikon të dëmtojë mjedisin përmes ndërtimeve të pakontrolluara dhe të pengojë rritjen e mirorganizuar të vendit. Subjekti politik propozon një sërë masash konkrete, përfshirë përmirësimin e kuadrit ligjor për mbrojtjen e natyrës dhe mbështetjen e bashkëpunimit ndërkomunal për menaxhimin e destinacioneve turistike malore.

Powered by WordPress