Eksperti i Politikave të Sigurisë dhe Gjeopolitikës, Ilir Kulla, ka deklaruar se presidenti, Donald Trump ka mundësi që ta zhbëjë Gjykatën Speciale.
Të hënën në emisionin “Matrix” të Tëvë1, Kulla ka thënë se kjo ka mundësi të ndodhë për shkak se sipas tij republikanët mendojnë se edhe Trump është persekutuar me të njëjtën skemë.
Ai ka shtuar se nëse ndodhë kjo, atëherë brenda vitit 2029 mund të pritet kthimi i atyre që aktualisht ndodhen në Hagë.
“Republikanët janë të qartë që do të shtyjnë për nga shpërbërja e gjykatave speciale siç është ajo e Kosovës apo siç është edhe ajo e Shqipërisë sepse ata mendojnë se me të njëjtën skemë është persekutuar edhe kandidati i tyre për president Trump. Kështu që ne…mund të projektojmë që brenda vitit 2029,…pra brenda 2029ës ne mund të kemi kthimin e atyre që për një arsye ose tjetër janë në burgun e Hagës”, është shprehur Kulla.
Kandidati republikan Donald Trump të mërkurën është zgjedhur presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara, duke shënuar një rikthim të jashtëzakonshëm.
Ai me një diferencë të madhe votash ka lënë prapa kandidaten e demokratëve, Kamala Harris.
Donald Trump pritet të inaugurohet për një mandat të ri më 20 janar të vitit 2025.