Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Buja: Jakup Krasniqi ka qenë zëdhënës, s’ka pasur të bëjë me detyra operative

Buja: Jakup Krasniqi ka qenë zëdhënës, s’ka pasur të bëjë me detyra operative

Shukri Buja tha të enjten në Hagë që Jakup Krasniqi ka qenë zëdhënës i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe është marrë me detyra operative.

“Ka qenë zëdhënës i UÇK-së dhe detyrat operative nuk kanë kuptim”, tha Buja, i cili po dëshmon për të tretën ditë me radhë në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Një gjë të tillë, Buja e kishte thënë edhe në gjykimin ndaj Fatmir Limajt në vitin 2005 dhe se këtë përgjigje ai e dha gjatë kundërpyetjeve të avokates së Krasniqit, Shyamala Alagendra, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Buja tha se emërimin e Krasniqit si zëdhënës e ka pritur me padurim për shkak të personalitetit të tij.

“Jakup Krasniqin në emërimin si zëdhënës i UÇK-së e kam prit me padurim sepse ka qenë një personalitet i jashtëzakonshëm. Një njeri që ka pasur vizion politik të jashtëzakonshëm dhe ka qenë një njeri që është pritur në mënyrë jashtëzakonisht të mirë nga popullata civile”, tha Buja, duke shtuar se Krasniqin e ka takuar rreth qershorit 1998.

Nga dalja publike si zëdhënës i UÇK-së, Buja tha se u kuptua që Krasniqi ishte anëtar i Shtabit të Përgjithshëm. Tha se detyra operative në UÇK gjatë verës kanë pasur Azem Syla si komandant i Përgjithshëm dhe Sokol Bashota si zëvendës i tij.

Ndërsa, në korrik të ’98-ës, sipas tij, Bislim Zyrapi ishte shef i Shtabit të Përgjithshëm e që edhe kjo ishte një detyrë operative.

Në pyetjet e avokatit të Veselit, Rodney Dixon, dëshmitari tha se e kishte kuptuar që Veseli në periudhën maj-qershor ka qenë ministër i Shërbimit Informativ të Kosovës.

“Në muajin maj ka dalë informacioni për ministrat në kuadër të Qeverisë së Përkohshme të Kosovës”, tha Buja.

Buja tha se nuk ishte përgjegjësi e Ilmi Reçicës për t’i zbatuar rregullat disiplinore dhe nuk kishte të bënte me asnjë lloj hetimi sa i takon çështjeve disiplinore.

“Nuk ka qenë detyrë e Zbulim-Kundërzbulimit. Ka qenë detyrë e Policisë Ushtarake dhe e komandantit të brigadës”, tha Buja.

Ai pohoi se ZKZ-ja dhe Policia Ushtarake nuk kishin të bëjnë me njëri-tjetrin pasi ishin të ndara nga funksionimi.

Powered by WordPress