Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > A po barrikadohet Vetëvendosja kundër Amerikës pas fitores së Donald Trumpit?

A po barrikadohet Vetëvendosja kundër Amerikës pas fitores së Donald Trumpit?

Shkruan: Afrim Kasolli

Rikthimi historik i kandidatit republikan për president, Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, ka ngjallur reagime të shumta anekënd botës. Natyrisht, shumë liderë nga shumë shtete të botës, zyrtarisht i uruan fitoren e garës presidenciale atij, mirëpo në prapaskenë nuk është se mungon ankthi, paqartësia dhe dilemat se çfarë drejtimi do të marrin zhvillimet.

A do të ruhet niveli i bashkëpunimit transatlantik, apo do të shënojnë krisje të reja, sidomos sa i përket fatit dhe rolit të NATO-së, veçanërisht kur marrim parasysh disa deklarata të tij gjatë fushatës elektorale se nuk do t’i mbronte vendet anëtare të aleancës nga ndonjë sulm eventual i Putinit, nëse nuk i plotësojnë detyrimet financiare ndaj kësaj organizate të sigurisë kolektive? Po ashtu, çka do të ndodh me luftën në Ukrainë për shkak të pohimeve të vazhdueshme të Donald Trumpit se do ta ndalojë atë luftë? Dilema tjera kanë ngriture dhe me premtimet e tij për të imponuar tarifa tregtare jo vetëm ndaj Kinës, por edhe ndaj partnerëve dhe shteteve aleate të Amerikës.

Në këtë kontekst, edhe drejtuesit e shtetit të Kosovës ia uruan fitoren presidentit të 47 të SHBA-ve. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me këtë rast ka theksuar, SHBA-ja mbetet partner dhe aleat “i palëkundur dhe i pazëvendësueshëm” për Kosovën. Prandaj “pres me padurim të punoj me administratën e re, për të thelluar më tej lidhjen tonë unike dhe aleancën strategjike”. Ngjashëm veproi edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca dhe kryeministri Albin Kurti, i cili shkroi se “SHBA-ja është një aleate, mike dhe partnere kyç për Kosovën dhe mezi presim të punojmë së bashku për përparim dhe paqe”. Këtë frymë pak a shumë e përçuan edhe liderët e partive opozitare.

Mirëpo, në dallim nga urimet zyrtare shtetërore, ajo që ra në sy ishte se si eksponentë të lidhur me Albin Kurtin dhe që janë pjesë e njëmendësisë së tij ideologjike kanë artikuluar një gjuhë krejt të ndryshme nga ajo formale e zyrtarëve të shtetit. Për më shumë, sipas tyre në vend të kërkimit të rrugëve për bashkëpunuar me administratën e re amerikane si një mundësi për të avancuar interesat shtetërore, ata i bëjnë thirrje popullit të Kosovës, për t’u rreshtuar në mbështetje të Albin Kurtit, si e vetmja mundësi për ta mbrojtur Kosovën nga rreziqet që mund t’i kanosen për shkak të rikthimit të presidentit Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë. Dhe kjo u bë me një gjuhë që në shumëçka ishte manifestim i reminishencave të dikurshme enveriste, për ta bashkuar popullin rreth drejtuesit komunist kundër imperializmit amerikan.

Në këtë kontekst, Sadri Ramabaja i njophur për afërsinë me Vetevendosjen, në një postim në FB, ka shkruar se zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 duhet të shndërrohen në një lloj plebishiti kombëtar në përkrahje të Albin Kutit, sepse vetëm në këtë mënyrë mund ruhet integriteti territorial dhe e ardhmja jonë si komb. Pra mbështetje popullore për liderin shpirtëror të Vetëvendosjes do të mund të shërbente si mjet për të frenuar kaosin që po na pret për shkak të “fundit të demokracisë liberale në Amerikë”

Në këtë linjë, pak a shumë kishte shkruar edhe njëri nga ideologët e preferuar të Kurtit, Enis Sulstarova. Ai e ka quajtur imperativ votën për Vetëvendosjen sepse “Rihyrja e Trampit në Shtëpinë e Bardhë shton pasigurinë në Evropë, ku Rusia dhe aleatët e saj shpresojnë që kursi i deritanishëm amerikan të ndryshojë në favorin e tyre”. Pra nuk kanë më rendësi kriteret e brendshme qeverise, por mbështetja për Albin Kurtin, ngjallë siguri gjeopolitike për shkak të pasigurisë që do ta prodhojnë SHBA-të

Sidoqoftë, mbetet e paqartë se këto reagime partiake a janë të instruktuar nga Albin Kurti si parapërgaditje e klimës politike kolektive, për ballafaqim përfundimtar ndërmjet partisë në pushtet dhe SHBA-ve, duke shfrytëzuar si pretekst, rikthimin e Donald Trump-it në Shtëpinë e Bardhë, apo të njëjtit janë tunduar për t’i shprehur publikisht pasionet politike dhe ideologjike të drejtuesit të Vetëvendosjes, të shfaqura herë në mënyrë të hapur e herë të fshehur. Dhe për më shumë këto thirrje a mund të merren si paralajmërim publik i barrikadimit të mundshme të Kosovës, kundër Amerikës, pas fitores së Donald Trump-it, sepse tashëm ky shtet e ka braktisur kursin e demokracisë liberale, si dhe janë shkatërruar të gjitha mekanizmat e brendshëm shtetërorë, politikë dhe juridikë për t’i kufizuar prirjet tiranike të drejtuesit të Shtëpisë së Bardhe dhe ku Kosova nën drejtimin e Albin Kurtit duhet të ketë rol vendimtar në rezistencën globale ndaj kaosit që do ta inaugurojë Donald Trump./tvarbëria/

Powered by WordPress