Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Si e uroi politika në Shqipëri Donald Trump për fitoren

Si e uroi politika në Shqipëri Donald Trump për fitoren

Krerët e politikës në Shqipëri kanë përcjellë mesazhe urimi kundrejt Donald Trump për fitoren në zgjedhjet Presidenciale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.  Përmes një reagimi në rrjete sociale kryeministri Edi Rama shprehet se  nën drejtimin e Trump në Shtëpinë e Bardhë Shqipëria  do të përmirësojë bashkëpunim me SHBA. Ai vlerësoi edhe  bashkëpunimin që Shqipëria pati me SHBA gjatë kohës që drejtohej nga Joe Biden.

“Urime Donald Trump për këtë fitore të jashtëzakonshme. Ishte një nder i vërtetë të punoja së bashku me Presidentin e 46-të të Shteteve të Bashkuara për të forcuar lidhjen midis dy vendeve tona. Pres me padurim të kem privilegjin e madh të punoj me Presidentin e 47-të për të përmirësuar më tej partneritetin tonë për paqe, prosperitet dhe përparim të mëtejshëm”, u shpreh Rama.Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj e cilësoi fitoren e Trump si një mundësi të mirë  për të vijuar partneritetin mes dy vendeve.“Urime për fitoren në zgjedhje, Donald Trump! Shqipëria vlerëson miqësinë tonë të gjatë dhe partneritetin strategjik, dhe unë pres që ta forcojmë më tej këtë bashkëpunim të ngushtë”, uroi Begaj.Një triumf mbi hipokrizinë dhe mashtrimet e ka konsideruar Kryetari i PD, Sali Berisha fitoren e Trump.“Donald Trump triumfoi! Me votën e tyre plebishitare, qytetarët amerikanët u ngritën mbi hipokrizinë, mashtrimin, përpjekjet për t’ iu diktuar me të gjitha mjetet udhëheqësin e tyre, dhe me rikthimin më të madh të të gjitha kohërave, zgjodhën për të ardhmen e ndritur që meritojnë, Donald Trump President të 47-të të vendit të tyre. Ata votuan për vlerat themelore të njeriut dhe njerëzimit që ndajnë dhe mbrojnë njerëzit e lirë në mbarë botën, votuan për begatimin e tyre dhe paqen në botë. Me Presidentin Donald Trump, SHBA, aletatët dhe partnerët e tyre në këtë kohë luftërash janë më të sigurtë se kurrë më pare”,  shprehet Berisha.

Nga qelitë e paraburgimit, edhe kreu i PL-së Ilir Meta i ka bërë një mesazh urimi Donald Trump.

“Urimet më të përzemërta, në emrin tim dhe të Partisë së Lirisë, për Ju President i 47-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump për këtë Fitore të Madhe, rikthim të merituar në Shtëpinë e Bardhë dhe triumf me plot sakrifica të betejës Tuaj të pandalshme për mbrojtjen e vlerave të SHBA dhe kombit mik amerikan. Triumfi Juaj është një mesazh i çmuar që kombi amerikan i jep botës se fati i demokracisë është vetëm në duart e qytetarëve dhe se sa të shtrenjta janë liritë dhe të drejtat themelore të njeriut, demokracia dhe pluralizmi përballë përpjekjeve dhe qëllimeve sfiduese anti-vlerë të aktorëve lokalë, rajonalë dhe globalë”, shkruan Meta mes të tjerash në rrjete sociale.

Një mesazh nuk mungoi as nga Kreu i demokratëve euroatlantikë Lulzim Basha.

“Urime të ngrohta @realDonaldTrump për fitoren e madhe dhe rikthimin historik politik në Shtëpinë e Bardhë. Jam i sigurt se miqësia dhe aleanca e madhe e Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara do të përjetojë lartësi të reja, falë mbështetjes së palëkundur të popullit amerikan. Në çdo hap vendimtar të historisë së kombit tonë, shqiptarët janë bekuar nga mbështetja dhe miqësia e Shteteve të Bashkuara. Le të vazhdojmë këtë rrugëtim të mrekullueshëm të lirisë dhe demokracisë, të bashkuar në besimin dhe përkushtimin tonë ndaj vlerave dhe besimeve tona të përbashkëta. Godspeed zoti President”, shkruan Basha në X.

Donald Trump rikthehet në Shtëpinë e Bardhë, pasi mundi rivalen e tij demokrate Kamala Harris.

 

Share Now