Ish-anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Lahi Brahimaj ka bërë homazhe në varrezat e dy heronjve Toni dhe Mici dhe tre ushtarëve të zonës operative të Shalës.
Ai thotë se liria e një kombi ndërtohet mbi sakrificat e bijve dhe bijave më të guximshëm, duke shtuar se “këto sakrifica janë themelet e pavarësisë sonë”.
“Në mars të vitit 1998, pas qëndresës heroike në Prekaz dhe Gllogjan, kulla ime u bë strehë për një trim të ri. Xhelal Hajda Toni, hero me përvojë nga lufta në Kroaci, erdhi për çlirimin, për të vazhduar drejt organizimit të luftës në Anadrini. Në bjeshkët mes Malishevës dhe Rahovecit, pata nderin të takoj edhe heroin tjetër, Selajdin Musaabazi – Mici.
Sot, në përvjetorin e rënies së tyre heroike më 6 nëntor 1998, përkrah bashkëluftëtarëve Bektesh Haliti, Hamdi Hajrizi e Nezir Ymeri, kujtojmë me respekt të thellë këta djem si zana, që jetën ia falën Atdheut. Kujtimi i tyre mbetet i gjallë në zemrat tona, si frymëzim i përjetshëm për brezat e ardhshëm”, shkruan Brahimaj.