Ish-Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka shprehur urimet më të përzemërta për popullin amerikan pas një procesi zgjedhor që, sipas tij, pasqyron vlerat e demokracisë dhe fuqinë e vullnetit të lirë të qytetarëve të SHBA-së. Ai ka uruar gjithashtu Presidentin Donald Trump për fitoren e tij në zgjedhjet presidenciale.
Haradinaj ka theksuar rëndësinë e udhëheqjes së Presidentit Trump për Kosovën dhe për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke kujtuar se nën drejtimin e tij, u krijua Ushtria e Kosovës, një moment historik për vendin.
Ai është i bindur se SHBA-të do të vazhdojnë të qëndrojnë si aleati më i fortë dhe i palëkundur i Kosovës.
“Urime popullit amerikan për një proces zgjedhor që pasqyron vlerat e demokracisë dhe fuqinë e vullnetit të lirë të qytetarëve të tij. Një urim i veçantë për Presidentin Donald Trump për zgjedhjen e tij,” tha Haradinaj, duke shtuar se nën udhëheqjen e Presidentit Trump, Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm në forcimin e institucioneve dhe në konsolidimin e shtetësisë.
Haradinaj theksoi se mbështetja e SHBA-së është kyçe për vazhdimin e rrugëtimit të Kosovës drejt anëtarësimit në NATO, dhe se kjo mbështetje do të mbetet një faktor i rëndësishëm për përpjekjet e Kosovës për të siguruar një të ardhme të sigurt dhe të qëndrueshme si pjesë e familjes euroatlantike.
“Konsolidimi i shtetit të Kosovës dhe synimi ynë afatshkurtër për anëtarësimin në NATO mbetet një prioritet, dhe mbështetja e SHBA-së është kyçe për realizimin e këtij objektivi,” përfundoi Haradinaj.