Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Shpërthejnë protestat në Izrael pasi Netanyahu shkarkoi ministrin e Mbrojtjes

Shpërthejnë protestat në Izrael pasi Netanyahu shkarkoi ministrin e Mbrojtjes

Në Izrael kanë shpërthyer protestat pasi kryeministri Benjamin Netanyahu shkarkoi ministrin e Mbrojtjes të vendit Yoav Gallant.

Netanyahu tha se një “krizë besimi” midis dy liderëve çoi në vendimin e tij, duke shtuar se besimi i tij te Gallant ishte “gërryer” muajt e fundit dhe ministri i Jashtëm Israel Katz do të ndërhynte për ta zëvendësuar atë.

Gallant tha se largimi i tij ishte për shkak të mosmarrëveshjeve për tre çështje, duke përfshirë besimin e tij se është e mundur të kthehen pengjet e mbetura nga Gaza nëse Izraeli bën “lëshime të dhimbshme”.

Bëhet e ditur se shumë protestues në rrugë po bënin thirrje që Netanyahu të jepte dorëheqje dhe kërkonin që ministri i ri t’i jepte përparësi një marrëveshjeje pengjesh, shkruan BBC, përcjell Telegrafi.

Ndryshe, Netanyahu dhe Gallant kanë pasur prej kohësh një marrëdhënie pune përçarëse.

Gjatë vitit të kaluar, ka pasur raporte për mospajtime mes dy izraelitëve mbi strategjinë e luftës.

Muaj përpara fillimit të luftës në Gaza në tetor 2023, Netanyahu e kishte larguar Gallantin për mosmarrëveshjet politike, përpara se ta rivendoste atë pas protestave të mëdha publike.

Por Netanyahu tha: “Në mes të një lufte, më shumë se kurrë, kërkohet besim i plotë midis kryeministrit dhe Ministrit të Mbrojtjes”.

Pas lajmit, Gallant deklaroi se “siguria e shtetit të Izraelit ishte dhe do të mbetet gjithmonë misioni i jetës së tij”.

Largimi i tij do të hyjë në fuqi pas 48 orësh.

Powered by WordPress