4 vjet më parë, opinioni ishte zënë në befasi me një deklaratë të tillë të Hashim Thaçit, i cili dha dorëheqje nga pozita e presidentit të Kosovës.
Thaçi dorëzoi detyrën në 2020, pas konfirmimit të aktakuzës së ngritur nga Dhomat e Specializuara për Kosovës, me seli në Hagë.
Me Thaçin, drejtë Holandës kishin udhëtuar edhe ish-kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli e Rexhep Selimi, derisa një ditë më herët kishte udhëtuar Jakup Krasniqi, të gjithë të arrestuar.
4 ish-krerët e UÇK-së, tash e katër vite janë duke qëndruar në paraburgim, derisa gjykimi ndaj tyre nisi në prill të 2023.
Ish-këshilltari politik i presidentit Hashim Thaçi, Artan Behrami thotë se ish-krerët janë duke u gjykuar padrejtësisht nga Gjykata Speciale, teksa shpresojnë që procesi të përfundojë së shpejti.
“Procesi kundër krerëve të UÇK-së, ka qenë një proces i padrejtë, një proces përplot me padrejtësi përplot me shkelje të të drejtave të njeriut, me shkelje të dinjitetit të Kushtetutës të Ligjeve dhe sidomos të normave ndërkombëtare, atë cfarë ka bërë Gjykata Speciale nuk e ka bërë asnjë gjykatë tjetër ndërkombëtare, tash e 4 vjet krerët e UCK mbahen si pengje politike në Hagë, përmes informatave të manipuluara të Serbisë”, ka deklaruar Artan Behrami- Ish-këshilltar i Hashim Thaçit.
Në Organizatën e Veteranëve të UÇK-së janë të bindur se Gjykata Speciale është duke punuar me prova të marra nga institucionet e Serbisë.
“Krejt ajo cka e kemi parë në opinion deklarata e dëshmitarëve janë thashetheme dhe kemi parë deklarata të ish hetuesve të Tribunalit të Hagës, psh znj.Trump që ka marr pjesë edhe në procesin gjyqësor, ndaj Millosheviqit, e që e ka cilësuar si gjykatë politike këtë, është një tendencë e kësaj Gjykatë me njollos luftën e drejtë të UÇK-së, në bashkëpunim të ngusht me institucionet e drejtësisë së Serbisë, pra duke mbledh prova nga Serbia”, ka deklaruar Xhevdet Qeriqi –OVL e UÇK-së, Fushë Kosovë.
Aktakuza ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit e Selimit ishte konfirmuar në nëntor të 2020, dhe të njëjtit janë duke u përballur me akuza për krime lufte e krime kundër njerëzimit, ndërkohë që ende nuk dihet një datë e saktë se kur mund të përfundoi procesi gjyqësor ndaj tyre.