Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Vazhdon dëshmia e Shukri Bujës në Hagë

Vazhdon dëshmia e Shukri Bujës në Hagë

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë sot do të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Në seancën e sotme vazhdon dëshminë e tij, Shukri Buja.

Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dëshmitari Shukri Buja, gjatë dëshmisë së tij të hënën në Hagë, ka theksuar se në kohën kur shkoi për të organizuar njësitet e UÇK-së në vendin e tij të lindjes nuk e kanë ditur se kush është në Shtabin e Përgjithshëm dhe se nuk kanë marrë urdhra nga ata.

Bujës ndërë të tjera iu prezantua një fragment i deklaratës së dëshmitarit në çështjen kundër Fatmir Limajt në vitin 2005, ku thoshte se dëshmitari ishte vendosur në Komunën e Shtimes për të organizuar njësitin për Shtimen dhe Lipjanin, Agim Bajrami e ka pasur përgjegjësinë të organizojë njësitet në Kaçanik. Ndërsa, për Limajn kishte thënë se e ka pasur përgjegjësinë për organizimin e njësitit në Malishevë.

Sipas prokurorit James Pace, dëshmitari Buja kishte thënë se “urdhrat për njësitet guerile jepeshin nga Shtabi i Përgjithshëm”.

“Po, është e saktë. Unë e kam sqaruar. Ne i kemi pritur urdhrat nga Shtabi i Përgjithshëm por kush është Shtabi i Përgjithshëm nuk e kemi ditur dhe nuk na është dhënë ndonjë urdhër në atë kohë nga Shtabi i Përgjithshëm”, ka deklaruar Buja.

Përpara kësaj, dëshmitarit iu prezantua një deklaratë që pretendohet se ai e ka dhënë në vitin 2003 në ish-Tribunalin e Hagës.

Powered by WordPress