Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Bota > Fermerët amerikanë dhe zgjedhjet për Shtëpinë e Bardhë

Fermerët amerikanë dhe zgjedhjet për Shtëpinë e Bardhë

Fermerët amerikanë po përballen me vështirësi ekonomike në këtë sezon zgjedhjesh për Shtëpinë e Bardhë. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Kane Farabaugh, ishte në shtetin Illinoi dhe bisedoi me fermerët lidhur me shqetësimet që kanë dhe çfarë presin nga qeveria.

Ndërsa lind dielli, John Ackerman fillon punën në fermën e tij në Morton të shtetit Illinoi.

“Shumicën e viteve mbjellim rreth 10 mijë hektarë tokë me kunguj”, thotë ai.

Shteti Illinoi është prodhuesi më i madh i kungujve në Shtetet e Bashkuara. Fermeri Ackerman siguron gjysmën e të ardhurave nga kjo kulturë bujqësore. Pavarësisht thatësirës, ferma e tij ka prodhuar kunguj të varieteteve të ndryshme.

Pasiguria e tij më e madhe nuk është moti, por shqetësimi lidhur me financimin e një legjislacioni për bujqësinë.

“Më krijon mundësinë për të blerë siguracion”, thotë fermeri.

Fermerët e vegjël si zoti Ackerman varen nga subvencionet federale për të blerë siguracion për prodhimet bujqësore, çka i ndihmon ata të sigurojnë hua për të vazhduar veprimtarinë e tyre.

“Nuk siguroj dot hua nëse nuk kam siguracion që mbulon rastet kur ndodh ndonjë fatkeqësi në fermë”, thotë zoti Ackerman.

Siguracioni për të korrat përbën afërsisht 10% të fondeve federale prej 1 trilion dollarësh të caktuara për bujqësinë për një hark kohor 10-vjeçar.

Financimi i projektit për bujqësinë përfundoi më 30 shtator ndërsa ligjvënësit debatuan lidhur me ripërtëritjen e tij. Kongresi është në pushim deri pas zgjedhjeve presidenciale. Kjo e shqetëson fermerin Ackerman.

“Këtë vit do të ulen të ardhurat nga fermat”.

Shkak për këtë, thotë ai, është çmimi i lartë i plehrave dhe çmimet e ulëta për misrin dhe sojën, që kultivon ferma e tij.

Ai thotë se çmimet janë pjesërisht të ulëta për shkak të tarifave kineze ndaj sojës amerikane si hakmarrje për tarifat ndaj çelikut kinez gjatë presidencës së zotit Trump, të pandryshuara gjatë administratës së Presidentit Joe Biden.

“Blerjet nga Kina kanë rënë, kështu që fermerët do të preken fillimisht nga tarifat”, thotë zoti Ackerman.

Debati gjatë fushatës presidenciale për më shumë tarifa përbën shqetësim edhe për fermerin David Isermann.

Ndërsa fermeri Isermann përpunon produktet e grurit të korrur në fushat e tij, ai po debaton nëse t’i shesë të korrat tani, apo të shpresojë për çmime më të mira më vonë. Atë e shqetëson dëmi afatgjatë i tarifave.

“Sojën që blinte Kina nga ne tani e merr nga Amerika e Jugut”, thotë fermerni Isermann.

“Kemi nevojë për tregje të reja që t’i shesim të korrat”, thotë Ryan Whitehouse, i cili është me Byronë e Fermave të Illinoi-t, i cili punon me ligjvënësit për të mbrojtur interesat e fermerëve.

“Sigurimi që tarifat të mos vendosen ka një përparësi kryesore për ne”, shton ai.

Fermeri Isermann thotë se lufta tregtare me Kinën pati ndikim më të gjerë sesa thjesht tek çmimet e të korrave.

“Ndoshta çoi në rritjen e çmimit të shumë pajisjeve bujqësore si rezultat i rritjes së çmimit të çelikut dhe aluminit.”

Administrata e Presidentit Trump u dha fermerëve subvencione shtesë për të kompensuar efektet e tarifave, por nuk i mbuluan të gjitha humbjet për zotin Isermann.

“Ende si kemi mbuluar humbjet”, thotë ai.

Fermeri Ackerman shpreson se pavarësisht se kush e fiton Shtëpinë e Bardhë, Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senatin, ata duhet të ketë parasysh edhe fermerët.

“Nuk mendoj se jemi përfaqësuar siç duhet”, thotë zoti Ackerman.

Dy fermerët, Isermann dhe Ackerman, thonë se është kritike që legjislacioni për bujqësinë të miratohet sa më shpejt që të jetë e mundur, pavarësisht se kush i fiton zgjedhjet. /VOA

Powered by WordPress