Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > BE insiston në Asociacionin e 2013-ës, Qeveria i përgjigjet se ai dokument s’ka nënshkrim

BE insiston në Asociacionin e 2013-ës, Qeveria i përgjigjet se ai dokument s’ka nënshkrim

Bashkimi Europian po insiston se themelimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, është obligim i qartë ligjor për Kosovën.

Siç thotë zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, është çështje e paplotësuar që rrjedh nga marrëveshja e dialogut në vitin 2013..

”BE-ja dëshiron të kujtojë se themelimi i ASM-së është obligim i paplotësuar i Kosovës që rrjedh nga Marrëveshja e Dialogut e vitit 2013, e vetmja Marrëveshje e Dialogut e ratifikuar nga Parlamenti i Kosovës me shumicë prej dy të tretash. Prandaj është obligim i qartë ligjor për Kosovën sipas ligjit ndërkombëtar. Fatkeqësisht, Kosova që nga viti 2013 nuk ka ndërmarrë hapat e nevojshëm drejt themelimit të saj dhe rrjedhimisht drejt mbrojtjes së shtuar të të drejtave të njerëzve që u përkasin komuniteteve joshumicë”.

Tutje, Stano shton për rtv21, se çdo propozim duhet të diskutohet me Serbinë dhe ndërmjetësuesin e BE-së dhe të jetë në përputhje me marrëveshjet e 2013 dhe 2015.

”Në tetor 2023, në përpjekje për të çuar përpara procesin e normalizimit, BE-ja – e mbështetur nga shtetet anëtare dhe partnerët e saj si SHBA-ja – prezantoi një projekt-statut evropian për krijimin e ASM-së bazuar në modelet dhe praktikat më të mira evropiane, gjithashtu. si kornizë ligjore e Kosovës, të cilën të dyja palët e kanë pranuar në parim. Në konkluzionet e tij të dhjetorit 2023, Këshilli Evropian përshëndeti “gatishmërinë e Serbisë dhe Kosovës për të pranuar draft-statutin e paraqitur palëve nga Lehtësuesi i BE-së”. Ky është një njohje formale e dokumentit nga të 27 Shtetet Anëtare të BE-së”.

BE-ja i ka bërë thirrje Kosovës që të ecë përpara me themelimin e Asociacionit/Bashkësisë në përputhje me Draft Statutin e BE-së pa vonesa të mëtejshme.

Kurse lidhur me këtë, zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, në një përgjigje për rtv21, ka thënë se draft-statuti evropian është një dokument pa nënshkrim si shumë propozime të tjera.

”Rikujtojmë se draft statuti i BE-së nuk e ka nënshkrimin as të Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Borrell e as të emisarit të tij, Lajçak, aq më pak të kryeministri Kurti. Statusi i draft statutit është ai i një non-paper, njëri ndër disa propozimet që janë bërë në vitet e kaluara”, thotë zëdhënësi i qeverisë.

Powered by WordPress